Vendosni fjalën kyçe....

E ardhmja e Sylvinho-s në dyshim, Corinthians interesohet për trajnerin e Shqipërisë



Pas tre vitesh në krye të Kombëtares së Shqipërisë, e ardhmja e trajnerit Sylvinho mbetet e paqartë, ndërsa kontrata e tij përfundon në muajin korrik dhe palët duken larg një marrëveshjeje të re.

Tekniku brazilian arriti rezultate historike me kuqezinjtë, duke i kualifikuar në Euro 2024 dhe duke i çuar për herë të parë në fazën “play-off” të një Botërori. Përballjet me skuadra si Italia, Kroacia dhe Spanja i rritën ndjeshëm profilin ndërkombëtar.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave braziliane, klubi Corinthians ka shfaqur interes për rikthimin e Sylvinho-s në stol. Ai ka drejtuar më parë këtë skuadër në periudhën maj 2021 – shkurt 2022, duke regjistruar 17 fitore, 14 barazime dhe 13 humbje në 44 ndeshje.

Pas largimit të fundit të trajnerit Dorival Júnior, emri i Sylvinho-s është përfshirë në listën e kandidatëve për ta zëvendësuar, madje konsiderohet një nga favoritët.

Interesi nga Brazili dhe mungesa e një marrëveshjeje me Federatën Shqiptare të Futbollit shtojnë zërat për një largim të mundshëm të tij nga pankina e Shqipërisë.