Vendosni fjalën kyçe....

Përmbyset varka me emigrantë në Mesdhe, mbi 70 të zhdukur


Një varkë me rreth 105 persona është përmbysur në Mesdheun qendror, pasi ishte nisur nga Libia, duke lënë të paktën 70 persona të zhdukur, përcjell Euronews.

Sipas organizatave Sea-Watch dhe Mediterranea Saving Humans, nga aksidenti janë shpëtuar 32 persona, ndërsa janë gjetur edhe dy trupa të pajetë.

Të mbijetuarit u shpëtuan nga dy anije tregtare, të cilat i transportuan drejt ishullit italian Lampedusa, një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve që nisen nga Afrika e Veriut drejt Europës.

Sipas raportimeve, ngjarja ndodhi në një zonë kërkim-shpëtimi që administrohet nga autoritetet libiane. Pamje ajrore të publikuara nga Sea-Watch tregojnë disa persona të kapur pas trupit të përmbysur të varkës, ndërsa anijet afrohen për t’i shpëtuar.

Organizata Mediterranea Saving Humans e cilësoi ngjarjen si pasojë e politikave të vendeve europiane që, sipas saj, nuk ofrojnë rrugë të sigurta dhe ligjore për emigrantët.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin, që nga fillimi i vitit 2026, të paktën 683 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur në Mesdhe, ndërsa mbi 6,100 persona kanë mbërritur në territorin italian gjatë së njëjtës periudhë.