
“Ne flasim shqip, nuk ka shtet pa rini” dhe “Ëndrra ime flet shqip” ishin disa nga thirrjet e studentëve shqiptarë gjatë protestës në Maqedoninë e Veriut në mbrojtje të gjuhës shqipe.
Studentët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet në gjuhën shqipe, duke theksuar nevojën për barazi, si edhe dorëheqjen e ministrit Fillkov.
Protesta po tërheq gjithnjë e më shumë pjesëmarrës, të cilët mbajnë pankarta dhe brohorasin për të drejtat e tyre.
Mesazhet që shihen në shesh janë të qarta dhe të drejtpërdrejta, duke reflektuar pakënaqësinë dhe kërkesat e studentëve. “Gjuha Shqipe nuk negociohet”, shprehen ndër të tjera studentët.
Një prej studentëve, ka dhënë një mesazh të qartë duke kërkuar që të respektohen të drejtat e tyre. Gjithashtu një thirrje për reagim i është bërë, Ministrit të Drejtësisë, por edhe të Kryeministrit të vendit
“Kërkesa jonë është e qartë, mundësia që provimi i Jurisprudencës të jenë në Gjuhën Shqipe dhe kjo nuk është kërkesë emocionale, por parimore. Në një shtet multietnik si Maqedonia e Veriut, duhet respektuar diversiteti në këtë vend.
Ndaj ky është edhe një moment reflektimi dhe një mesazh i drejtpërdrejtë për Ministrin e Drejtësisë, Filkov. Të marrë seriozisht këtë çështje dhe të reflektojë dhe jo të injorojë kërkesat tona.
Ne dimë edhe të rebelohemi, po ashtu është edhe një thirrje për kryeministrin Micokvski, që të mos e trajtojë çështjen vetëm në kuadër të deklaratave por të angazhohet për zgjidhje reale. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se të drejtën tonë, këtë duhet ta kuptojë çdo politika shqiptar”, tha ai.