Vendosni fjalën kyçe....

Rama befason: Kemi rritje historike të të ardhurave buxhetore, priten mbi 1 miliard euro shtesë



Kryeministri Edi Rama është shprehur se vendi po regjistron një rritje historike të të ardhurave buxhetore.

Në podkastin e tij “Flasim”, Rama deklaroi se, sipas projeksioneve, gjatë kësaj periudhe pritet të mblidhen mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë. Ai theksoi se kjo rritje nuk vjen nga rritja e taksave, por nga zhvillimi i ekonomisë dhe përmirësimi i administrimit tatimor dhe doganor.

“Kjo javë është karakterizuar edhe nga një tjetër bilanc inkurajues: rritja e të ardhurave buxhetore në një nivel absolutisht historik. Një tregues i rëndësishëm i fazës ku ndodhet sot ekonomia shqiptare,” u shpreh Rama.

Sipas tij, rritja e të ardhurave është rezultat i një administrimi më efikas dhe i uljes së korrupsionit dhe abuzimeve, duke shtuar se përmirësimi i kontrollit mbi transaksionet dhe rritja e ndërgjegjësimit fiskal kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë performancë.

Kryeministri theksoi se ky është një moment i rëndësishëm për ekonominë, duke e cilësuar si një tregues të besimit të qytetarëve dhe të mbështetjes ndaj politikave qeveritare.