Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se nëntë vende anëtare të Bashkimit Europian kanë bllokuar negociatat me Shqipërinë, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mungesë transparence.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se ky zhvillim është mbajtur i fshehtë nga qeveria e Edi Rama, ndërsa theksoi se pa votimin unanim të raportit për standardet dhe shtetin ligjor, vendi nuk mund të avancojë në procesin e integrimit.
“Në Bruksel, në debatin për IBAR-in, nuk ishin më tre apo katër vende që kundërshtonin, por ato u bënë nëntë vende që e kundërshtuan me shumë argumente votimin e këtij raporti. Pa votimin unanim, Shqipëria nuk mbyll asnjë kapitull, çka do të thotë se procesi i integrimit për momentin është vendnumëro,” – deklaroi Berisha.
Ai shtoi se situata mund të përkeqësohet edhe më tej nëse, sipas tij, vijon mbrojtja politike ndaj Belinda Balluku dhe mënyra e trajtimit të çështjes së AKSHI.
“Nëse vazhdohet ky qëndrim ndaj dosjes së AKSHI-t, ku ‘Linda e vërtetë është ajo e Surrelit’, ndërsa Mirlinda Karçanaj është prestanome, Shqipëria jo vetëm që do të mbetet në vendnumëro, por do të përballet me ndëshkime të rënda,” – u shpreh ai.
Berisha theksoi se integrimi europian mbetet një projekt jetik për vendin, por sipas tij, Shqipëria aktualisht nuk përmbush kriteret për anëtarësim. Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Rama, duke thënë se “me Edi Ramën integrim nuk ka”.
