
Industria e aviacionit është mbërthyer nga kriza e saj më e rëndë që nga pandemia, ndërsa lufta në Lindjen e Mesme ka pezulluar fluturimet, ka fshirë më shumë se 50 miliardë dollarë nga vlera e transportuesve më të mëdhenj në botë dhe madje ka ngritur fantazmën e mungesës së karburantit.
Ndërsa konflikti po hyn në javën e tij të katërt, drejtuesit dhanë alarmin për pasojat e tij në një industri të ekspozuar ndaj rritjes së zgjatur të çmimeve të naftës, ndërprerjes së nyjeve aeroportuale të Gjirit dhe një goditjeje të mundshme ndaj kërkesës globale.
Pasagjerët në rrugë shumë përtej Gjirit pritet të përballen me një rritje të lartë të çmimeve të biletave në muajt e ardhshëm, ndërsa linjat ajrore përpiqen të mbrojnë fitimet e tyre. Karburanti i avionëve, i cili përbën një të tretën e kostove të linjave ajrore, është dyfishuar që kur SHBA dhe Izraeli nisën sulmet e tyre ndaj Iranit muajin e kaluar dhe vazhdon të rritet.
Megjithëse shumë transportues janë të mbrojtur kundër lëkundjeve të çmimeve të naftës, drejtuesit paralajmëruan se rritja e vrullshme e kostos së karburantit këtë muaj do t’i detyrojë ata të rrisin tarifat.
“Karburanti u rrit mjaft edhe pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, por kjo ka shkuar edhe më tej,” tha shefi i EasyJet, Kenton Jarvis, duke shtuar se lufta shënoi trazirën më të rëndë për industrinë që kur pandemia mbylli qiejt në vitin 2020.
Në një shenjë të alarmit të investitorëve, 20 linjat ajrore më të mëdha të listuara publikisht kanë humbur rreth 53 miliardë dollarë në kapitalizimin e tregut që nga fillimi i luftës, sipas llogaritjeve të FT. Investitorët kanë rritur gjithashtu bastet e tyre për rënie të mëtejshme të çmimeve të aksioneve, ku Wizz Air, një transportues evropian me kosto të ulët, është tani kompania më e “shortuar” në FTSE 100, ndërsa edhe EasyJet është vënë në shënjestër.
Kriza ka goditur pas një rimëkëmbjeje të qëndrueshme të kërkesës që nga pandemia, me disa linja ajrore që po shijonin një seri fitimesh rekord. Megjithatë, drejtuesit janë të kujdesshëm nëse kërkesa mund t’u rezistojë çmimeve shumë më të larta të biletave.

Carsten Spohr, shefi i Lufthansa-s, tha se i druhej që çmimet më të larta mund të dëmtonin kërkesën në planin afatgjatë, por këmbënguli se linja ajrore më e madhe e Gjermanisë nuk kishte zgjedhje tjetër veçse të rriste tarifat.
“Fitimi ynë mesatar është rreth 10 euro për pasagjer, nuk ka asnjë mënyrë që të thithësh koston shtesë,” tha ai.
Në një tregues se si ndërprerja po përhapet në gjithë sektorin, linjat ajrore po hartojnë plane emergjence në rast të mungesës së karburantit për avionët. Ben Smith, shefi i Air France-KLM, tha se transportuesi po zbatonte plane për të përballuar shtrëngimin e furnizimeve, duke përfshirë shkurtimin e shërbimeve në disa pjesë të Azisë.
Drejtuesit thanë se epiqendra e krizës mbetet në Gji, ku treshja e mbështetur nga shteti, Emirates, Etihad dhe Qatar, janë detyruar të shkurtojnë në mënyrë dramatike oraret e tyre mes mbylljes së hapësirës ajrore dhe kolapsit të turizmit në rajon.
“Për njerëzit në Lindjen e Mesme, kjo është një krizë e madhe,” tha Willie Walsh, kreu i grupit lobues të linjave ajrore Iata, duke shtuar se ajo mbetet e eklipsuar nga kriza që përfshiu industrinë gjatë pandemisë. Kjo është “më shumë e ngjashme me problemet transatlantike pas 11 shtatorit, ku kërkesa për fluturime transatlantike ra ndjeshëm,” shtoi ai.
Duke pasur parasysh shkallën e ndërprerjes, Andrew Charlton, kreu i konsulencës Aviation Advocacy, tha se transportuesit kombëtarë të Gjirit ka të ngjarë të kërkojnë të ardhura kesh nga pronarët e tyre shtetërorë, shkruan FT.
“Nëse jeni linjë ajrore pa mbështetje shtetërore, do jeni në telashe,” tha ai.
Ndërprerja është shtrirë edhe te transporti i mallrave, pasi mallrat nga transporti detar global i ndërprerë rëndë po zhvendosen drejt avionëve, duke lënë disa aeroporte të mbingarkuara. Mallrat e dërguara në aeroportin e Gjenevës po transportohen me makinë drejt Parisit, sepse avionët që nisen nga baza zvicerane janë plot, sipas Giovanni Russo, i cili drejton operacionet në aeroport.
Ndërsa industria lëkundet nga konflikti, Jarvis, kreu i EasyJet, tha se priste që çmimet e aksioneve të linjave ajrore të rimëkëmbeshin shpejt kur lufta të përfundojë.
“Mendoj se ata do t’i mbyllin pozicionet e tyre mjaft shpejt nëse shpallet ndonjë armëpushim.”