
Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 46-vjeçar, i cili u kap duke transportuar armë zjarri, municion dhe lëndë shpërthyese me qëllim shitjen.
Në kuadër të operacionit të koduar “Synimi”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ndaluan në rrugën e fshatit Shëngjergj shtetasin Urim Meta, banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit në automjetin që ai drejtonte, policia gjeti 4 kallëpë tritoli, 2 armë zjarri dhe rreth 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Sipas hetimeve paraprake, 46-vjeçari dyshohet se i kishte siguruar këto materiale në zonën e Shëngjergjit dhe po i transportonte drejt Tiranës për t’i shitur.
Armët, municioni, automjeti dhe telefoni celular u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për identifikimin dhe ndëshkimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.