
Partia Demokratike e Shqipërisë ka shpallur Gardën Revolucionare të regjimit të Teheranit si organizatë terroriste, duke e cilësuar Iranin si sponsor kryesor të terrorizmit dhe kërcënim për paqen në Lindjen e Mesme. PD dënoi sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik dhe shprehu solidaritetin me ato shtete.
Partia gjithashtu mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e regjimit teokratik dhe vendosjen e një qeverie të zgjedhur nga populli iranian.
Deklarata:
Partia Demokratike e Shqipërisë shpall Gardën Revolucionare të regjimit diktatorial të Teheranit si organizatë terroriste.
Ajo e cilëson shtetin obskurantist të Ajatollahëve si sponsorin kryesor të terrorizmit në botë dhe një kërcënim madhor për paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe kudo në glob.
Partia Demokratike e Shqipërisë dënon me forcën më të madhe sulmet e Teheranit ndaj vendeve të Gjirit Persik, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Kuvajtit, Bahrejnit dhe vendeve të tjera mike të Shqipërisë dhe ju shpreh ketyre vendeve solidaritetin e saj të plotë.
Partia Demokratike mbështet përpjekjet e SHBA-së dhe Izraelit për përmbysjen e diktaturës mizore teokratike të Ajatollahëve dhe zëvendësimin e këtij regjimi me një qeveri të zgjedhur nga populli si një kontribut madhor për çlirimin e popullit iranian, si dhe për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë.