
Richard Grenell, i cili u emërua vitin e kaluar nga Presidenti Donald Trump si president i Qendrës Kennedy, do largohet nga roli i tij si udhëheqës i qendrës, tha Trump të premten.
Matt Floca, zëvendëspresidenti i operacioneve në qendrën kombëtare kulturore, do emërohet drejtor operativ dhe drejtor ekzekutiv i institucionit, tha Trump në një postim në mediat sociale, ku gjithashtu falënderoi Grenell-in.
Ndryshimi u raportua më herët nga Axios dhe pritet të zyrtarizohet të hënën në një mbledhje të bordit që do mbahet në Shtëpinë e Bardhë dhe ku do marrë pjesë edhe Trump, tha media në fjalë, shkruan Reuters.
Trump tha muajin e kaluar se planifikonte ta mbyllte qendrën për dy vjet për rikonstruksion, duke filluar nga korriku.
“Kam kënaqësinë të njoftoj se Matt Floca, në varësi të miratimit të Bordit të Drejtorëve, do të emërohet Drejtor Operativ dhe Drejtor Ekzekutiv i QENDRËS TRUMP KENNEDY ku, si Zëvendëspresident i Operacioneve, Matt na ka ndihmuar të arrijmë përparim të jashtëzakonshëm në sjelljen e Qendrës në nivelin më të lartë të Ekselencës! Një Rikonstruksion i Plotë i QENDRËS TRUMP KENNEDY do të fillojë pas Festimeve të 4 Korrikut, me një Rihapje të Madhe të planifikuar në afërsisht dy vjet. Ric Grenell ka bërë një punë të shkëlqyer duke ndihmuar në koordinimin e elementeve të ndryshme të Qendrës gjatë periudhës së tranzicionit, dhe dëshironi ta falënderoj atë për punën e jashtëzakonshme që ka bërë. QENDRA TRUMP KENNEDY do të jetë, në përfundim të saj, objekti më i mirë i llojit të tij kudo në Botë! Presidenti DONALD J. TRUMP.”
