
Simboli më i fundit dhe më ekskluziv i statusit MAGA janë një palë këpucë lëkure “oxford”. Parapëlqeni modelin me majë, mokasina apo këpucë me rrip? Të zeza apo kafe? Presidenti Trump ua zgjidh.
Trump u ka dhuruar këpucë krerëve të agjencive, ligjvënësve, këshilltarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe personave VIP.
“A i more këpucët?” – pyet ai në mbledhjet e kabinetit. Disa njerëz i kanë mbathur ato që në Zyrën Ovale. Gjatë një dreke në janar, Trump kaloi papritur te tema e këpucëve të tij të reja “të pabesueshme” dhe i dha Tucker Carlson-it një palë ngjyrë kafe.
“Të gjithë djemtë i kanë,” tha një zyrtare e Shtëpisë së Bardhë.
Një tjetër bëri shaka: “Është qesharake sepse të gjithë kanë frikë të mos i veshin.”
Trump ka rënë në dashuri me “Florsheim”, marka amerikane që ka ndërthurur komoditetin dhe stilin për më shumë se një shekull. Ato janë gjithashtu të përballueshme: shumë prej tyre kushtojnë 145 dollarë.
Presidenti ka nisur të gjejë me hamendje numrin e këpucëve të njerëzve në praninë e tyre. Ai kërkon nga një ndihmës të bëjë porosinë dhe, një javë më vonë, një kuti kafe “Florsheim” mbërrin në Shtëpinë e Bardhë. Trump ndonjëherë firmos kutinë ose bashkëngjit një shënim falënderimi, sipas njerëzve të njohur me këtë ritual.
Miliarderi 79-vjeçar, i njohur për kostumet e shtrenjta “Brioni”, kravatat e gjata të kuqe dhe prirjen për estetikë, në fund të vitit të kaluar filloi të kërkonte diçka që të ndjehej më mirë pas një dite në punë dhe zgjodhi “Florsheim”. Atij i pëlqyen aq shumë sa filloi t’i shpërndante. Shtëpia e Bardhë tha se ai i paguan vetë këpucët.
Zëvendëspresidenti JD Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio kanë palët e tyre. Po ashtu edhe Sekretari i Transportit Sean Duffy, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick, drejtori i komunikimit i Trump, Steven Cheung, zv.shefi i stafit James Blair dhe shkrimtari i fjalimeve Ross Worthington. Personazhi i Fox News, Sean Hannity dhe senatori Lindsey Graham kanë secili nga një palë.

Marrësit kanë filluar t’i veshin “Florsheim”-et e tyre rreth Trump-it, disa prej tyre me sa duket pa dëshirë. Një anëtar i kabinetit është ankuar se iu desh të linte mënjanë këpucët e tij Louis Vuitton, sipas njerëzve që dëgjuan ankesën.
Zyrtarisht, Shtëpia e Bardhë nuk e konfirmon zgjedhjen e Trump-it për “Florsheim”. Një marrës tha se Trump kishte një pirg me to në zyrë. Në një kuti shkruhej “Scott” – për Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent.
I kontaktuar përmes telefonit, Thomas Florsheim Jr. tha se nuk ishte në dijeni të porosive të këpucëve nga presidenti. Shefi i “Weyco Group” dhe brezi i pestë i familjes “Florsheim” refuzoi me mirësjellje të komentonte më tej.
“Florsheim” u themelua në vitin 1892 në Çikago nga Sigmund Florsheim, një emigrant gjerman dhe këpucar, dhe djali i tij Milton. Një shekull para se Trump të fillonte të vendoste emrin e tij mbi çdo gjë, “Florsheim” qepte emrin e vet në këpucë dhe hapte dyqane të markës në gjithë vendin. Kompania veshi ushtarët amerikanë në të dyja Luftërat Botërore. Më vonë, ajo përfitoi nga lulëzimi i qendrave tregtare. Presidenti Harry Truman i ka veshur ato. Michael Jackson bëri lëvizjen e famshme “moonwalk” me mokasina “Florsheim”.
“Florsheim” ka qenë një standard i modës amerikane për mbi një shekull. Reklamat që në vitin 1902 vinin në dukje stilin dhe komoditetin e këpucëve.
Ashtu si fatet e biznesit të vetë Trump-it, “Florsheim” ka përjetuar ulje-ngritje, duke përfshirë shpalljen e falimentimit në vitin 2002, pjesë e një lëvizjeje që ia ktheu markën familjes “Florsheim”. Sot ajo është pjesë e “Weyco”, me qendër në Glendale, Wisconsin, e cila shpërndan gjithashtu markat “Nunn Bush”, “Stacy Adams” dhe “Bogs”.

Rubio dhe Vance i morën Florsheim-et e tyre pas një takimi në dhjetor në Zyrën Ovale.
Të zhytur në bisedë, Trump vuri re këmbët e tyre nën tavolinën Resolute, kujtoi Vance gjatë një takimi më vonë atë ditë.
“Marco, JD, ju keni këpucë të papara,” deklaroi Trump para se të nxirrte një katalog. Një politikan i tretë ishte në dhomë – Vance nuk ia përmendi emrin – dhe Trump i pyeti secilin për numrin. Rubio tha 11.5, Vance 13. Personi i tretë tha 7, sipas Vance.
“Presidenti u mbështet prapa në karrigen e tij dhe tha: ‘E dini, mund të thuash shumë për një burrë nga numri i tij i këpucëve’,” tha Vance.
Rubio ishte i njohur me markën më parë. Kur ai po kandidonte për president kundër Trump-it në 2016, u pa në New Hampshire i mbathur me çizme të zeza me takë. Mes spekulimeve mediatike se ato mund të ishin “Tom Ford” me çmim 1,990 dollarë, ekipi i Rubios zbuloi se çizmet ishin “Florsheim” 135 dollarëshe.

Dhuratat presidenciale u bënë të zakonshme në vitet 1880. Gjelat e detit për Krishtlindje ishin dhurata e preferuar për stafin e Shtëpisë së Bardhë për dekada. Franklin D. Roosevelt shpërndante varëse çelësash të qenit të tij Fala. Lyndon Johnson u ofronte vizitorëve furça dhëmbësh elektrike me vulën presidenciale. George W. Bush pëlqente butonat e këmishave.
Trump shpërndan kapele MAGA, shpesh nga një rezervë që mban në një dyqan dhuratash të improvizuar jashtë Zyrës Ovale. Ai pëlqen monedhat presidenciale dhe njihet për shpërndarjen e fotografive të tij me stafin ose kimikateve të zeza Sharpie që përdor për të nënshkruar dokumente zyrtare. Këpucët e çojnë këtë bujari në një nivel tjetër, shkruan WSJ.
Por dhurimi i palës së duhur është më shumë sesa thjesht të kesh numrin e saktë, tha shkrimtari i modës mashkullore Derek Guy.
“Nëse keni një kostum që nuk ju rri mirë, thjesht do të dukeni keq. Por nëse keni një këpucë që nuk ju rri mirë, mund të zhvilloni probleme fizike.”
Guy sugjeroi që Trump të thërriste Alden Shoe Co., një markë e nivelit më të lartë e themeluar në Massachusetts, dhe të kërkonte që një shitës të ndalonte në Shtëpinë e Bardhë për matje të rregullta. “Nuk mendoj se është diçka ekstravagante – për një miliarder.”