Vendosni fjalën kyçe....

Ode për Ovidin: 2,000 vjet art i frymëzuar nga “Metamorfozat”


Në fillim të “Metamorfozave”, Ovidi u premton lexuesve të tij botën: transformimet e bëra nga zotat dhe njerëzit “që nga krijimi i parë i kozmosit e deri në kohët e mia”, të formuara nga imagjinata e tij poetike.

Në këto mite dashurie dhe fati, joshjeje dhe rreziku, bukurie dhe mashtrimi, natyre dhe vdekjeje, erdhi frymëzimi më i pasur i letërsisë për artin pamor.

Përgjatë ekspozitës spektakolare të Rijksmuseum, “Metamorphoses”, e cila mbledh disa nga përgjigjet më shpikëse dhe erotike të artistëve më të mëdhenj ndaj poemës, Ovidi mbetet “dhuntia” që vazhdon të japë edhe pas 2,000 vjetësh.

“Danaë”, e zbukuruar mbi jastëkë të fryrë, duke pritur në ekstazë shiun e artë të dashnorit të saj hyjnor, është e para nga seksteti “Poesie” i Ticianit, bazuar në skena të ndryshme të poemës, që e çuan pikturën laike në lartësi shprehëse të pakonkurrueshme.

“Jupiteri dhe Io” e Correggio-s, që dramatizon përrallën themelore të epshit dhe mashtrimit të Librit 1, e paraqet zotin si një mjegull të errët, të paprekshme por me prani fizike, që mbështjell një nimfë në ekstazë. Duke u luhatur mes abstraksionit dhe figuracionit, zoti-re bëhet trupëzor vetëm aty ku prek trupin e Io-së: fytyra që shfaqet për të rrëmbyer një puthje, dora e tymtë mbi ijën e saj.

‘Hermafroditi i Fjetur’ nga Bernini, 1620

Bernini vendosi një “Hermafrodit” antik mbi dyshekun më jetësor të bërë ndonjëherë në mermer, dhe na ftoi të rrotullohemi rreth tij duke parë vajzën të kthehet në djalë. Rodin e projektoi veten si skulptorin e dashuruar me krijimin e tij, duke i dhënë frymë asaj nga guri i ashpër, në “Pigmalioni dhe Galatea”. “Prometeu” vezak dhe i ndritshëm i Brancusit, me fytyrën që ka vetëm vetull dhe hundë, evokon Titanin që sjell dritën dhe formon racën njerëzore nga balta.

Ekspozita, sa seksi aq edhe erudite, dhe herë tragjike e herë komike, feston modelet antike, kryeveprat e Rilindjes dhe Barokut, si dhe ripërpunimet moderne befasuese. Të ekspozuara bashkë në një galeri, janë paraqitja brutale e Luca Giordanos për përrallën më mizore të Ovidit, satirin e rjepur të gjallë te “Apollo dhe Marsia”, krah “Modelit të Kuq III” të René Magritte, ku një palë çizme kthehen në këmbë, dhe lëkura e tyre kthehet në mish.

Një grupim rrezatues përfshin “Narcisin” e Caravaggio-s me intensitet psikologjik, të riun e dashuruar pas vetes që gjunjëzohet buzë pellgut, i mbyllur me pasqyrimin e tij në një rreth që shkëlqen nga errësira; një kokë mermeri romak të një adoleshenti, me flokë të shpupuritur dhe qepalla të rënda — Narcisi i Ovidit “shikon veten me habi të heshtur dhe qëndron aty palëvizur… si një statujë e gdhendur nga mermeri i Parianit”; një Sixhade Millefleurs të shekullit të 15-të me Narcisin; dhe, në një shpërthim të dimrit verior, “Narcisin” e surrealistit Kor Postma pranë një liqeni të ngrirë, me fytyrën e pasqyruar në akull të thyer.

‘Leda’ by Michele Tosini, 1560-1570

Në një tjetër grumbullim, një fluturim madhështor skulpturash të Zeusit-si-mjellmë fillon në Romën e shekullit të 2-të me një Leda mermeri që mirëpret zogin në prehrin e saj, dhe përfundon në vitin 1942 me “Ledën” e Isamu Noguchi-t, me forma abstrakte të rrumbullakosura që rrjedhin së bashku, trupi i saj i bëshëm i shkrirë me pendët e tij të buta.

Rubinë, perla të zeza dhe sy shkëlqyes vezullojnë në pikturën manieriste “Leda” të Michele Torsinit. Versioni i pikturuar i Michelangelo-s ishte aq i qartë (eksplicit) saqë Ana e Austrisë e shkatërroi atë, megjithëse imitimet vazhduan të qarkullonin. “Leda” sublime e Leonardos gjithashtu u zhduk; ajo është këtu në kopjen më të rafinuar.

Për piktorët, potenciali dinamik i një momenti të transformimit fizik është treguar pafundësisht tërheqës, ndërsa skulptorët gjatë mijëvjeçarëve shijuan sfidën e shkrirjes dhe shfaqjes së formave. Transformimi ndodh edhe në vetë skenografinë e shfaqjes: historitë pikturale rrjedhin në histori të tjera ashtu si Ovidi i thur ato përmes pëlhurës së poemës në “carmen perpetuum”, këngë e pandërprerë.

Narcizi i Karavaxhios, 1597-1598

Plot patos, një “Minotaur” romak i shekullit të 1-të — me kokë demi të ulur dhe kthesën në formë S të një trupi njerëzor — qëndron me “Seduction” (2021) të Koen Vanmechelen, që parodizon “Venusin e mbledhur” duke i bashkangjitur një fytyrë demi gjigante e pushkore.

Kjo aludon në maskimin e Jupiterit si një dem i bardhë për të rrëmbyer princeshën fenikase Evropa. Pikërisht kjo skenë u thur nga Arakneja, duke regjistruar keqbërjet seksuale të Jupiterit në konkursin e saj të sixhadesë me Minervën — e cila menjëherë e ktheu atë në merimangë.

Përballë sixhadeve, “Arakneja dhe Minerva” e Tintoretto-s tregon hyjneshën duke vëzhguar me xhelozi aftësinë e vajzës. Versioni i Giordanos ilustron momentin kur gishtat e Araknesë kthehen në këmbë merimange. Mbi to varet “Spider Couple” (2003) e Louise Bourgeois.

“Asgjë nuk është konstante në të gjithë botën. Çdo gjë është në gjendje ndryshimi”, shkruan Ovidi, dhe kjo përfshin edhe poemën e tij: interpretimi ndryshon me çdo shekull e brez. Në 1554, heroi i Ovidit që vret përbindëshat në “Perseu me kokën e Meduzës” të Benvenuto Cellinit simbolizonte triumfin e sundimtarëve Medici të Firences.

Sot, fokusi është te Meduza e dëmtuar. “E njohur për bukurinë e saj”, ajo u kthye në një gorgonë, me flokët e saj të harlisur që u bënë “gjarpërinj zmbrapsës” si ndëshkim për faktin që u përdhunua; në filmin rrëqethës të Juul Kraijer “Spawn” (2019), zvarranikët zvarriten mbi të, një viktimë e shpërfytyrimit.

“Metamorfozat” përshkruajnë 50 përdhunime dhe padrejtësi të panumërta të ushtruara rastësisht nga të fuqishmit ndaj të pafuqishmëve. Akteoni kthehet në një dre, pastaj shqyehet nga qentë e tij, thjesht sepse hodhi një vështrim te hyjnesha Diana.

Dafna shndërrohet në një pemë dafine pasi ikën nga zoti-përdhunues Apollo; paraqitja e Bernard Salomon, ku këmbët e saj shkrihen në një trung dhe krahët e saj shpërthejnë në degë me gjethe, ishte ndër gdhendjet në dru me shumë ndikim në “Metamorfozat” e ilustruara franceze të vitit 1557.

Ovidi po shkruante në Romën autoritare të Augustit, nga ku u dëbua në vitin 8 pas Krishtit (ndoshta për shkak të veprës “Ars Amatoria”). Por poeti u rrit gjatë luftës civile të Romës, dhe subversionet e “Metamorfozave”, paparashikueshmëria dhe terrori i rastësishëm pasqyrojnë paqëndrueshmërinë politike dhe sociale të epokës së tij. Si eksplorim i vetë ndryshimit, poema dhe arti që ajo provokon janë të pavdekshëm.

Një pamje nga filmi shqetësues i Juul Kraijer ‘SPAWN’, 2019

Kjo shfaqje është bashkëprodhuar me Galerinë Borghese të Romës. Në kohë përçarëse, ekspozita është një model i bashkëpunimit dhe kohezionit evropian. Sa e mrekullueshme, për shembull, të shohësh pranë njëra-tjetrës interpretimet jugore dhe veriore të mitit të Evropës: skenën mesdhetare kristaline të rrëmbimit nga Giuseppe Cesari, përkundrejt pastoralit barok flaman të Jacob Jordaens me nimfa lakuriq dhe tufa bagëtish.

Fjala e fundit e “Metamorfozave” është “Vivam” — “Unë do të jetoj!”. Ndonëse koha ka “pushtet mbi trupin tim”, shkruan Ovidi, “kudo ku shtrihet ndikimi i Romës… unë do të flitem në buzët e njerëzve.”

Në vizitën time fundjavën e kaluar, shfaqja ishte plot: çifte që qëndronin para pikturave të dashurisë, prindër që fotografonin fëmijët pranë cupid-ëve të Rilindjes. Intelektualisht stimuluese dhe demokratike në tërheqje, është një homazh i jashtëzakonshëm për një gjë që nuk ndryshon: kënaqësia e përjetshme dhe mbështetëse e artit, shkruan FT.

‘Katër Elementet’ nga Louis Finson (1611)