
Prokuroria pranë Gjykatës së Elbasanit ka nisur kryesisht hetime lidhur me dëmtimet e konstatuara që nga dita e djeshme, të cilat çuan në ndërprerjen e plotë të qarkullimit në segmentin rrugor Librazhd–Pogradec.
Procedimi penal është regjistruar për veprat “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrim i pronës publike (rrugës)” si dhe “Ndotje e ajrit, ujit apo tokës”, ndërsa për administrimin e provave është ngritur një grup i posaçëm hetimor.
Gjatë një deklarate për mediat në orët e para të ditës së sotme, drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, u shpreh se po punohet me qëllim rikthimin e aksesit në këtë aks brenda ditës së nesërme.
Si pasojë e dëmtimeve të konsiderueshme të pësuara nga segmenti Librazhd–Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi pezullimin total të lëvizjes, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Prej tre ditësh qarkullimi realizohej me kufizime, vetëm në një korsi, ndërsa dje u mor vendimi për mbyllje të plotë pas agravimit të situatës dhe zhvendosjes së trupit të rrugës.
Aktualisht, prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme rrugore nga Tirana drejt Korçës realizohet përmes itinerarit Maliq–Moglicë–Gramsh, një segment me infrastrukturë të amortizuar që vështirëson lëvizjen dhe zgjat kohën e udhëtimit me rreth një orë.
Për automjetet e lehta, ARRSH rekomandon përdorimin e akseve Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan dhe Qafë Thanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë, ndërsa për mjetet e tonazhit të rëndë sugjerohet devijimi përmes pikave doganore Qafë Thanë–Maqedoni dhe Bllatë–Rruga e Arbërit.