Vendosni fjalën kyçe....

Punësimi në sektorin bankar u rrit me 10% vitin e kaluar, rekord historik



Punësimi në sektorin bankar shënoi rritje të fortë vitin e kaluar dhe arriti nivelin më të lartë historik.

Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se në fund të vitit 2025 bankat tregtare në vend raportuan 7856 të punësuar, në rritje me gati 10% krahasuar me një vit më parë.

Punësimi në sektorin bankar është rritur për të gjashtin vit radhazi.

Efektin kryesor në rritjen e numrit të të punësuarve për vitin e kaluar vlerësohet se ka ardhur nga përthithja e institucionit financiar jobankar NOA nga Banka Amerikane e Investimeve (ABI Bank). Megjithatë, edhe përtej efektit të faktorëve kalimtarë, rritja e punësimit në sektorin bankar është një tendencë e vazhdueshme në vitet e fundit, e lidhur me një cikël të ri rritjes së sistemit. Veçanërisht vitet pas pandemisë janë karakterizuar nga zgjerim i shpejtë i aktiveve të sektorit, rritje me ritme të përshpejtuara të kreditimit, përmirësim i performancës financiare dhe konkurrencë në rritje mes bankave.

Kjo ka ndikuar në zgjerimin e vazhdueshme të të punësuarve, rritje që vitin e kaluar u përshpejtua ndjeshëm.

Rritja e dixhitalizimit po sjell më pak nevojë për punonjës në degë, por ajo po kompensohet nga zgjerimi i stafeve të lidhura me shërbimet që mbështeten te teknologjia, si edhe rritja e punësimit në pozicionet administrative, duke ndjekur edhe një cikël të natyrshëm të rritjes së biznesit. Gjithashtu, performanca e mirë financiare po mbështet një zgjerim të vazhdueshëm të aktivitetit dhe të punësimit.

Por, një ndikim thelbësor duket se ka pasur rritja e numrit të degëve. Në fund të vitit të vitit 2025, numri i degëve të bankave u rrit në 443, nga 405 që kishte qenë një vit më parë. Edhe këtu efektin kryesor e ka dhënë bashkimi i NOA me ABI Bank.

Rritja e punësimit, së bashku me presionet e tregut për rritjen e pagave, sollën edhe një rritje të mëtejshme të shpenzimeve për personelin. Sipas të dhënave paralele të publikuara nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2025 shpenzimet e bankave tregtare për personelin arritën në afërsisht 20.2 miliardë lekë, në rritje me 13.6% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, sektori financiar ka pagën mesatare më të lartë në ekonomi. Në tremujorin III 2025, paga mesatare bruto në këtë sektor arriti në më shumë se 152 mijë lekë në muaj, në rritje vjetore me 9.7%.

Përveç zgjerimit të rrjetit të degëve, vetë sektori bankar po nis një cikël të ri zgjerimi strukturor, me shtimin e numrit të aktorëve në treg. Gjatë vitit 2025, pritet të nisin aktivitetin dy banka të tjera që kanë marrë miratimin paraprak nga Banka e Shqipërisë, përkatësisht dega e bankës Ziraat dhe Banka Jet. Shtimi i numrit të bankave pritet të sjellë një zgjerim të mëtejshëm të punësimit në sektorin bankar. /Monitor