Vendosni fjalën kyçe....

Reshje bore në zonat malore të Korçës, trashësia arrin deri në 20 cm



Reshjet e borës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele dhe vijojnë ende në disa zona të qarkut të Korçës, përfshirë akset Boboshticë–Dardhë, Bilisht–Miras dhe Korçë–Voskopojë.

Sipas autoriteteve, po punohet intensivisht për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve, me qëllim mbajtjen e tyre të hapura për qarkullim. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në zonat malore, dhe të pajisen me goma dimërore.

Në lartësitë mbi 900 metra mbi nivelin e detit, trashësia e borës arrin nga 15 deri në 20 centimetra, veçanërisht në zonën Boboshticë–Dardhë, çka e bën të domosdoshëm qarkullimin me mjete të përshtatura për kushtet e dimrit.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin shpejtësitë e larta, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve përkatëse për të parandaluar aksidentet.