Vendosni fjalën kyçe....

Basha shpjegon “Operacionin” në ditët e para të qeverisjes: Politikanët me pranga në duar


Në një dalje për mediet, këtë të premte, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shpjegoi me detaje “Operacionin” që do të zhvillojë që në ditët e para të qeverisjes.

“Për qeverisjen e PD-së dhe të opozitës që ditën e parë të qeverisjes, para çdo gjëje dhe mbi çdo gjë tjetër, ne do të ndërmarrim një operacion të gjerë, të paparë ndonjëherë, me shtrirje nga Shqipëria në vendet e tjera për hetimin, zbulimin dhe ndëshkimin e të gjithë vjedhjeve dhe grabitjeve që i janë bërë Shqipërisë.”, tha Basha.

Sipas tij, ky operacion do të përfshijë: Krijimin e një kuadri ligjor radikal kundër krimit dhe korrupsionit qeveritar dhe hetimin dhe ndëshkimin e gjithë veprimtarisë kriminale të qeverisë në fushën e prokurimeve dhe licensimeve publike.

Për Bashën prioritet mbetet hetimi i korrupsionit të niveleve të larta, hetimi i mashtrimeve me kontratat dhe fondet publike dhe rikuperimi i pasurive të vjedhura përmes kontratave dhe koncesioneve publike.

“Çdo kontratë koncesionare, çdo kontratë shtetërore do të konsiderohet si vepër e mundshme kriminale dhe do të hetohet pa asnjë përjashtim. Çdo ent dhe kompani private, çdo person privat dhe publik, i përfshirë në hartimin dhe miratimin e këtyre kontratave, nga juristët e thjeshtë deri tek kryeminsitri, do t’i hetohet pasuria dhe të ardhurat, pa asnjë përjashtim në Shqipëri dhe kudo që t’i ketë.”, tha më tej Basha.

Fokusi i këtij hetimi do te jetë paraja. Sipas komentit të Bashës ky hetim do të ndjekë, gjurmojë dhe zbulojë origjinën e parave të përdorura si dhe do të zbulojë destinacionin e parave të marra nga buxheti.

“Ne do të hetojmë paratë dhe pasurinë e të gjithë atyre që janë përfshirë në një mënyrë apo tjetër në këto koncesione kriminale. Hetimi do të përfshijë pasurinë e të gjithë ish-zyrtarëve dhe zyrtarëve të tanishëm.

Ata ish-ministra, ish-sekretarë të përgjithshëm, ish-drejtorë etj, që janë larguar, mbasi mbushën xhepat, dhe që sot po investojnë në biznese, në vila, në luks, në restorante, nuk kanë për të shpëtuar.

Zbulimi dhe rikuperimi i aseteve të vjedhura do të jetë prioritet absolut.

Paratë që u janë vjedhur shqiptarëve dhe kanë përfunduar në llogari bankare në Qipro, në Singapor apo në Ishujt Kajman dhe kudo, paratë që kanë përfunduar në vila në Romë dhe në Nju Jork, do të zbulohen dhe do t’u kthehen shqiptarëve.”, u shpreh më tej kryedemokrati.

Basha tregoi edhe kolonat antikorrupsion të platformës që do të çojë pas hekurave politikanët e korruptuar.

“Ndërkohë, ne po hartojmë, që tani, disa ligje për luftën kundër krimit dhe pastrimit të parave:

  • Një ligj për ndalimin e legalizimit në ekonomi të produkteve të krimit, i cili do të parandalojë investimin e parave të krimit në ekonomi, përmes çdo forme, nga ndërtimet tek veprimet financiare. Kjo do të përfshijë si paratë e trafiqeve, edhe paratë e korrupsionit apo krimeve ekonomike.
  • Një ligj për pergjegjësinë civile të personave privatë dhe bizneseve për dëmet nga korrupsioni. Qytetarët do të kenë mundësinë të hedhin në gjyq civil për kompensim çdo zyrtar që i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit dhe çdo kompani të përfshirë në akte të tilla. 130 milionët e Beketit t’i paguajë Edi Rama me shërbëtorët e tij në shtet dhe jo qytetarët. Paratë dhe asetet e kompanive të paguajnë për paratë e humbura.
  • Një paketë të tërë ligjore për deklarimin dhe kontrollin e aseteve të politikanëve dhe punonjësve publikë. Politikanët dhe punonjësit publikë nuk do të mundin të blejnë dot as një kostum e jo më vila dhe makina të shtrenjta apo shkollime jashtë vendit për fëmiëjt e tyre pa u hetuar për burimin e parave.

Politikanët me pranga në duar janë kontributi më i rëndësishëm për mirëqeversjen.”, theksoi Basha.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *