
Më shumë se 200 persona kanë humbur jetën pas shembjes së një miniere në lindje të Republikës Demokratike të Kongos, kanë bërë të ditur autoritetet rebele.
Miniera, e ndodhur në qytetin Rubaya, u shemb të mërkurën si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, deklaroi për gazetarët Lumumba Kambere Muyisa, zëdhënës i guvernatorit rebel të rajonit të Kivu Verior. Në momentin e parë, bilanci i viktimave mbetej i paqartë.
Mes personave që ndodheshin në minierë në kohën e aksidentit kishte gra dhe fëmijë, të cilët po nxirrnin koltan, një mineral i përdorur në prodhimin e pajisjeve elektronike si telefonat inteligjentë dhe kompjuterët.
Një ish-mbikëqyrës i minierës i tha BBC-së se vendi nuk ishte mirëmbajtur siç duhet, gjë që e bënte më të mundshëm ndodhjen e aksidenteve dhe e vështirësonte ndjeshëm procesin e shpëtimit kur ato ndodhin.
Ai shtoi se natyra e brishtë e tokës në këtë zonë e përkeqëson edhe më shumë situatën.
Ndër viktimat janë gra, fëmijë dhe minatorë artizanalë – persona që nuk janë të punësuar zyrtarisht nga kompani minerare. Rreth 20 të mbijetuar thuhet se po marrin trajtim në spital.
Një burim, kushëriri i të cilit humbi jetën në rrëshqitjen e dheut, shprehu tronditje për ngjarjen, duke thënë se ishte “një humbje e madhe” për familjen dhe komunitetin.
“Nuk e besoja se mund të ndërronte jetë në rrethana të tilla,” i tha ai BBC-së, duke e përshkruar kushëririn si një njeri “guximtar” dhe “ambicioz”, që synonte mbi të gjitha të siguronte jetesën për bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij.
“Nuk e besoja [që kishte vdekur], sepse hetimet vazhdonin. Trupi i tij nuk ishte gjetur menjëherë pas aksidentit, ndaj kisha shpresë se mund të gjendej i gjallë. Fatkeqësisht, disa orë më vonë, trupi i tij u zbulua,” shtoi burimi, i cili kërkoi të mbetej anonim.
Guvernatori Erasto Bahati Musanga, i emëruar nga rebelët e M23 pas marrjes së kontrollit mbi pjesë të mëdha të Kivu Verior, vizitoi të mbijetuarit e incidentit të premten.
Rubaya është një nga disa qytete në Kivu Verior që ndodhen nën kontrollin e M23, grup për të cilin vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se mbështetet nga Ruanda fqinje.
Minierat e Rubaya-s mbajnë rreth 15% të furnizimit botëror me koltan dhe gjysmën e rezervave totale të këtij minerali në RD të Kongos.
Koltani përmban tantal, i cili përdoret për prodhimin e kondensatorëve me performancë të lartë në një gamë të gjerë pajisjesh elektronike, çka e bën atë shumë të kërkuar në tregjet globale.
Kur një ekip i BBC-së vizitoi zonën në korrik të vitit 2025, u vërejt se minatorët gërmonin manualisht për të nxjerrë mineralin e çmuar. Kushtet në terren u përshkruan si shumë të këqija, me gropa të rrezikshme të shpërndara në të gjithë zonën e gjerë të minierës.
Që prej vitit 2024, minierat ndodhen nën kontrollin e rebelëve M23. Kombet e Bashkuara kanë akuzuar këtë grup se vendos taksa mbi sektorin minerar për përfitimin e vet.