
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar refuzimin e kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për t’iu bashkuar tryezës së opozitës, duke deklaruar se një qëndrim i tillë i shërben drejtpërdrejt qeverisë.
I pyetur nga një qytetar në rrjetet sociale lidhur me këtë çështje, Berisha tha se përgjigjen më të mirë për këtë vendim mund ta japë vetë Shehaj, ndërsa shtoi se krahasimet mes PD-së dhe PS-së janë të papranueshme.
“Përgjigje më të saktë për këtë mund t’ua japë vetë Agron Shehaj, i cili ka moralin të krahasojë PD me PS. Pretendon ose thotë se është i persekutuar. Krahason PD që çliroi nga burgjet dhe persekutuesit, me PS-në. Njeriu është i lirë të thotë atë që do,” u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se qytetarët që e kanë votuar Agron Shehajn nuk e kanë bërë këtë që ai të qëndrojë jashtë një fronti të gjerë opozitar, por për t’u bashkuar në përpjekjen për rrëzimin e qeverisë.
“Zgjedhësit, ata që kanë votuar Agron Shehajn, nuk e kanë votuar që ai të mos bashkohet në një front të gjerë opozitar për të larguar të keqen, Edi Ramën. Ata qytetarë konsiderojnë Edi Ramën të keqen më të madhe,” deklaroi Berisha.
Në përfundim, ai theksoi se opozita mbetet e hapur për të gjithë ata që duan të kontribuojnë realisht në ndryshimin e qeverisjes.
“Opozita është e hapur. Ata që duan të bëjnë opozitën e opozitës, janë në shërbim të qeverisë,” përfundoi kreu i PD-së.