Vendosni fjalën kyçe....

Reforma territoriale, Demo: Ndryshimet në bazë të dhënash ekonomike, demografike dhe funksionet


Reforma territoriale e cila do të zërë një peshë të rëndësishme të axhendës së qeverisë këtë vit duke nisur nga Komisioni parlamentar tashmë i ngritur në funksion të saj, nuk do të jetë thjesht ndryshim kufijsh.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor Ervin Demo tha se kjo reformë është e rëndësishme të bëhet në bazë të të dhënave për të pasur një qasje sa më të saktë dhe më afatgjatë ndërkohë që duhet të ngrejë baza të forta për procesin e integrimit.

Ai nënvizoi se zhvillimet ekonomike, ndryshimet demografike dhe analizimi i funksioneve të ofruara më mrië e atyre që nuk kanë mundur të ofrohen do të sjellin edhe një panoramë më të qartë për formën që kjo reformë do të marrë.

“Kur flasim për reformën territoriale është një instrument i rëndësishëm që bashkitë që në nisje të kenë asetet dhe kapacitet e duhura që nga pikëpamja e rritjes ekonomike të jenë të gatshme të përballojnë sfidat. Për reformën territoriale kemi një komision parlamentar, procesi do të fillojë për pak ditë dhe do jetë transparent.

Nuk duhet ta perceptojmë si një proces që ndryshon kufijtë, reforma territoriale duhet të bazohet në të dhëna, në eksperiencë që tashmë e kemi çfarë ka ndodhur në territor jemi fiks 10 vjet, kush kanë qenë sfidat që janë ballafaquar, cilat janë funksionet që bashkitë  arritur të kryejnë dhe ato që s’kanë arritur të ofrojnë.

Në këtë kontekst të shihen pse. Besoj që duhet të jemi të sinqertë dhe të ndërgjegjshëm sa i takon rëndësisë por për mënyrën sesi do të menaxhojmë territorin dhe si qytetari do të jetë interaktiv me institucionet.

Shqipëria ka ndryshime demografike , zhvillimin ekonomik dhe nuk është vështirë të kuptosh që trendet duhet të merren në konsideratë në reformën territoriale. Besoj kjo do të përfshije edhe funksionet apo kompetencat por ka nevojë për analizë dhe i takon komisionit ta çojë para” tha Demo.

Gjatë fjalës ministri nënvizoi se pjesa më e rëndësishme është procesi i integrimit i cili  do të sjellë shumë sfida për të gjithë aktorët dhe sektorët por patjetër për bashkitë.

“Procesi i negociatave, axhenda ambicioze që ne kemi që të mbyllim kapitujt deri në 2027 do të sjellë një dallgë të madhe rregullative që duhet të përkthehet në standarde dhe përgjegjësi të reja për bashkitë. Procesi është shumë kompleks dhe bashkitë kanë karakteristikat e tyre që e bëjnë edhe më kompleks dhe kemi dhe sfidën e burimeve njerëzore” tha Demo.

Viti 2026 sipas tij është i pari kur Bashkitë do të administrojnë në nivel lokal 1.2 miliardë euro nga të ardhurat e tyre dhe transferuat e buxhetit. Lidhur me zhvillimet e fundit në territor ai nënvizoi se 20 milionë euro fond që ka ardhur si grant nga Emiratet do t’ju kalojë bashkive kryesisht për mjete të rënda dhe logjistikë për t’u fokusuar tek infrastruktura sidomos ajo bujqësore për të minimizuar situatat e përmbytjeve.

Po kështu ai paralajmëroi për standardizim  të Policive Bashkiake duke nisur nga standardi që ato kanë që do të jetë kudo i njëjtë e deri tek rekrutimi që po ashtu do të jetë i unifikuar. Dy nisma të tjera me rëndësi sidomos  në aspektin dixhital janë ajo e ofrimit të shërbimeve lokale online përmes e albania si dhe integrimi i sistemit të menaxhimit të financave AFMIS.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor