Vendosni fjalën kyçe....

U kallëzua nga KLSH/ Gjykata: SPAK të hetojë ish-kryetarin e Bashkisë Kavajë, Elvis Roshi


GJKKO ka vendosur që SPAK të hetojë ish-kryebashkiakun e PS në Kavajë, Elvis Roshin. Gjykata e Durrësit kishte pushuar hetimet ndaj Roshit, pas një kallëzimi të KLSH në 2017 për shpërdorim detyre, por me vendim të GJKKO çështja i kalon SPAK për hetim. 

Nga një auditim që KLSh kishte kur bashkia e Kavajës drejtohej nga Elvis Roshi, u konstatuan një sërë parregullsish në fushën e urbanistikës dhe prokurimeve të fondeve publike me dëm ekonomik në vlerën e  33 milion lekëve.

Gjykata e Posaçme urdhëron SPAK që të vijojë hetimet ndaj ish-kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshi, që u largua për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Ai akuzohet se kishte fshehur rekordet kriminale jashtë vendit.

Roshi u hetua nga Prokuroria e Durrësit, e cila vendosi pushimin e hetimeve, por Durrësi ia transferoi çështjen Gjykatës së Posaçme.

VENDIMI

Në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në datë 30.11.2023, është regjistruar kërkesa penale me nr. 23/113 akti, ardhur për shkak të deklarimit të mos kompetencës lëndore nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: “Pushimin e procedimit penal nr. 317 të vitit 2017, të regjistruar pa autor për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal”, me palë kërkuese Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe kallëzues Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 75/a, 128, 128/a, 329, 329/a, 329/b e vijues të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin nr. 23, datë 26.03.2024, vendosi:

1)Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me objekt: Pushimin e procedimit penal nr.317 të vitit 2017, të regjistruar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 të K. Penal.

2)Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vijimin e hetimeve, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

3)Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.