Vendosni fjalën kyçe....

Minatorët e Trepçës dalin nga miniera pas 7 orësh të ngujuar



Minatorët e ndërrimit të dytë të Trepçës kanë dalë nga miniera rreth tri orë më parë, pasi kishin qëndruar të ngujuar për afro 7 orë nën tokë.

Ngjarja ka ndodhur si pasojë e një defekti në furnizimin me energji elektrike, i cili kishte pamundësuar daljen e tyre nga miniera.

Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, ka deklaruar më herët për KosovaPress se në momentin e paraqitjes së tij në media nuk kishte informata të plota për situatën.

“Për shkak të një defekti në energji elektrike ka mbetur i ngujuar ndërrimi i dytë. Nuk kam shumë informata, sepse ende nuk jam njoftuar nga askush. Edhe unë këtë e kam kuptuar nga lajmet”, ishte shprehur Januzi.

Kujtojmë se një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe më 11 janar të këtij viti, kur si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike brenda minierës, pesë pompistë kujdestarë kishin mbetur të ngujuar për rreth 8 deri në 9 orë.