
Gjenerali më i lartë i Kinës po përballet me akuza për rrjedhjen e informacioneve lidhur me programin e armëve bërthamore të vendit drejt Shteteve të Bashkuara dhe për marrje ryshfetesh në këmbim të veprimeve zyrtare, përfshirë ngritjen në detyrë të një oficeri në postin e ministrit të Mbrojtjes, sipas personave që kanë dijeni për një informim të nivelit të lartë mbi këto akuza.
Ky informim — i ndjekur të shtunën në mëngjes nga disa prej oficerëve më të lartë të ushtrisë — u zhvillua pak kohë përpara se Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kinës të publikonte një njoftim tronditës për hapjen e një hetimi ndaj gjeneralit Zhang Youxia, i cili më parë konsiderohej aleati ushtarak më i besuar i liderit kinez Xi Jinping. Deklarata përmbante shumë pak hollësi, përveç njoftimit për një hetim mbi “shkelje të rënda të disiplinës partiake dhe ligjeve shtetërore”.
Sidoqoftë, persona të njohur me këtë informim — i cili nuk ishte raportuar më herët — thanë se Zhang po hetohet për krijimin e supozuar të “klikave politike”, një term që përdoret për të përshkruar përpjekjet për ndërtimin e rrjeteve të ndikimit që dëmtojnë unitetin e partisë, si edhe për keqpërdorim të autoritetit të tij brenda organit më të lartë vendimmarrës ushtarak të Partisë Komuniste, Komisionit Qendror Ushtarak (CMC).
Autoritetet po shqyrtojnë gjithashtu mbikëqyrjen e tij mbi një agjenci shumë të fuqishme që është përgjegjëse për kërkimin, zhvillimin dhe prokurimin e pajisjeve ushtarake. Sipas burimeve të njohura me informimin, Zhang dyshohet se ka pranuar shuma të mëdha parash në këmbim të gradimeve zyrtare brenda këtij sistemi prokurimi me buxhet shumë të madh.
Akuza më tronditëse e paraqitur gjatë informimit me dyer të mbyllura ishte se Zhang i kishte dhënë SHBA-së të dhëna teknike thelbësore mbi armët bërthamore të Kinës.
Disa prej provave kundër Zhang erdhën nga Gu Jun, ish-drejtor i përgjithshëm i Korporatës Kombëtare Bërthamore të Kinës, një kompani shtetërore që mbikëqyr të gjitha aspektet e programeve bërthamore civile dhe ushtarake të vendit, sipas personave të njohur me informimin. Pekini njoftoi të hënën e kaluar hapjen e një hetimi ndaj Gu për dyshime mbi shkelje të rënda të disiplinës partiake dhe ligjeve shtetërore.
Gjatë informimit të së shtunës, autoritetet bënë të ditur se hetimi ndaj Gu e ka lidhur Zhang-un me një shkelje të sigurisë brenda sektorit bërthamor kinez. Detajet lidhur me këtë shkelje nuk u bënë publike gjatë takimit.

Zhang, 75 vjeç, dhe Gu nuk ishin të arritshëm për koment. Në një deklaratë për The Wall Street Journal, Liu Pengyu, zëdhënës i Ambasadës Kineze në Uashington, deklaroi se vendimi i partisë për të hetuar Zhang-un tregon se udhëheqja mban një qasje me “mbulim të plotë dhe tolerancë zero” në luftën kundër korrupsionit.
Disa analistë shprehen se ky raund i fundit i spastrimeve të Xi-së ndaj korrupsionit dhe pabesnikërisë në forcat e armatosura përfaqëson çmontimin më agresiv të udhëheqjes ushtarake kineze që nga periudha e Mao Ce Dunit.
Ashtu si Xi, edhe Zhang — anëtar i elitës së Politbyrosë së partisë — është pjesë e grupit të ashtuquajtur “princër” të Kinës, siç njihen pasardhësit e veteranëve revolucionarë dhe zyrtarëve të lartë të partisë. Babai i Zhang luftoi përkrah babait të Xi-së gjatë luftës civile kineze që solli marrjen e pushtetit nga forcat komuniste të Maos në vitin 1949, dhe më pas të dy u ngjitën në poste të larta.
“Kjo lëvizje është e paprecedentë në historinë e ushtrisë kineze dhe përfaqëson shkatërrimin e plotë të komandës së lartë,” deklaroi Christopher Johnson, drejtues i China Strategies Group, një firmë konsulence për rrezikun politik.
Informimi i brendshëm i së shtunës lidhi gjithashtu rënien e Zhang-ut me promovimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Li Shangfu. Zhang dyshohet se ka ndihmuar në ngritjen në detyrë të Li-së në këmbim të ryshfeteve të konsiderueshme. Rënia e vetë Li-së nisi në vitin 2023, kur ai u zhduk nga jeta publike dhe më pas u shkarkua nga posti i ministrit të Mbrojtjes. Partia e përjashtoi atë vitin pasues për korrupsion.
Në një tregues të thellësisë së hetimit aktual, Xi ka ngarkuar një grup pune për të zhvilluar një hetim të detajuar mbi mandatin e Zhang-ut si komandant i Rajonit Ushtarak të Shenyang-ut, i cili zgjati pesë vjet nga 2007 deri në 2012. Ekipi ka mbërritur tashmë në qytetin verilindor të Shenyang-ut dhe ka zgjedhur të qëndrojë në hotele lokale, në vend që të strehohet në baza ushtarake, ku Zhang do të kishte një rrjet mbështetës.
Autoritetet kanë konfiskuar tashmë pajisjet celulare të oficerëve që u promovuan së bashku me Zhang-un dhe me gjeneralin Liu Zhenli, shefin e Departamentit të Shtabit të Përbashkët, hetimi ndaj të cilit u njoftua gjithashtu të shtunën, ndërkohë që mijëra oficerë të lidhur me këta burra po shndërrohen në objektiva të mundshëm hetimi.
Rënia e Zhang-ut dhe Liu-t e zgjeron përpjekjen disavjeçare të Xi-së për të pastruar ushtrinë nga oficerë të konsideruar të korruptuar dhe politikisht të pabesueshëm. Goditja edhe e njërit prej miqve personalë të Xi-së, Zhang-ut, tregon se tashmë nuk ekzistojnë kufij për zellin e Xi-së në luftën kundër korrupsionit, tha Johnson, i cili ka shërbyer në CIA për dy dekada.

“Xi u përpoq të shmangte një spastrimi të plotë të krerëve të lartë në vitet e para të fushatës kundër korrupsionit,” duke mos shënjestruar gjeneralët e lartë në detyrë dhe sektorët kyç të ushtrisë, si forca e raketave strategjike, shtoi Johnson. “Më vonë ai e kuptoi se kjo ishte e pamundur, dhe kjo lëvizje përfaqëson përmbylljen e atij procesi.”
Analistët theksojnë se opasiteti i sistemit politik të Kinës e bën të vështirë identifikimin e motiveve të sakta të Xi-së për rrëzimin e një aleati të hershëm. Shpjegimet e brendshme nuk pasqyrojnë gjithmonë plotësisht motivet reale që qëndrojnë pas vendimeve të Xi-së.
Megjithatë, një editorial i PLA Daily vuri në dukje rëndësinë e faktorëve politikë, duke e akuzuar Zhang-un se ka “shkelur dhe minuar rëndë” bazën institucionale të autoritetit të kryetarit të Komisionit Qendror Ushtarak. Kjo sugjeron se “Zhang kishte akumuluar shumë pushtet jashtë vetë Xi-së,” deklaroi Lyle Morris nga Asia Society Policy Institute.

Sipas Morris, duke goditur strukturën komanduese, Xi po dërgon një sinjal se korrupsioni i përhapur, rrjetet e thella të patronazhit dhe komprometimi i sekreteve shtetërore përbëjnë kërcënime ekzistenciale për synimin e tij për të marrë kontrollin mbi Tajvanin.
Megjithatë, disa analistë argumentojnë se zbrazja e radhëve të larta ka gjasa të ndikojë në efektivitetin luftarak dhe mund të ulë rrezikun e menjëhershëm të një pushtimi të Tajvanit, ndërsa Xi kalon drejt një strategjie më të kujdesshme. Pekini duket se fillimisht po synon arritjen e një marrëveshjeje me Presidentin Trump për çështjen e Tajvanit.
Që nga vera e vitit 2023, partia ka rrëzuar figura kyçe në ushtrinë tokësore, ajrore, detare, forcën e raketave strategjike dhe policinë paramilitare. Kur nisi mandati aktual në vitin 2022, Komisioni Qendror Ushtarak kishte gjashtë anëtarë profesionistë ushtarakë. Sot, ka mbetur vetëm një oficer aktiv me uniformë, gjenerali Zhang Shengmin, i cili shërben kryesisht si inspektor disipline dhe jo si veteran lufte.
“Ky boshllëk në krye është i paqëndrueshëm,” tha M. Taylor Fravel nga MIT, duke shtuar se kjo do të ndikojë në gatishmërinë e ushtrisë për të ndërmarrë operacione komplekse ushtarake në afatin e shkurtër dhe të mesëm.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Wall Street Journal