Vendosni fjalën kyçe....

Shtyhet sërish në GJKKO seanca paraprake për dosjen e Ilir Metës


GJKKO ka shtyrë sërish seancën paraprake për dosjen e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre personave të tjerë.

Shkak për shtyrjen e seancës u bë mungesa e njërit prej avokatëve të të pandehurve.

Gjykata pritej të vendoste mbi kërkesën e SPAK për kalimin ose jo të dosjes për gjykim, por vendimmarrja u shty për më datë 22 janar.

E pranishme në seancë ishte edhe Monika Kryemadhi, e cila u shfaq e buzëqeshur teksa po hynte brenda seancës ndërsa përshëndeti gazetarët dhe operatorët me simbolin ne dy gishtat lart.

Kujtojmë që në muajin korrik, SPAK njoftoi përfundimin e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale kundër ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të akuzuar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Sipas SPAK, Meta akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.

Ndaj ish-bashkëshortëve rëndojnë dhe akuzat për kryere të veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.