
Dy persona humbën jetën dhe gjashtë të tjerë u plagosën gjatë një të shtënë jashtë një kishe në Salt Lake City të mërkurën mbrëma, ndërsa brenda po mbahej një ceremoni përkujtimore, njoftoi policia.
Ngjarja ndodhi në parkimin e pasmë të kishës së The Church of Jesus Christ of Latter-day Saints, e njohur gjerësisht si kisha Mormon.
Autoritetet thanë se deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar dhe se nuk ka tregues që sulmuesi të ketë pasur një motiv ndaj një besimi të caktuar.
“Ne nuk besojmë se kjo ishte një sulm i drejtuar ndaj ndonjë feje apo diçkaje të ngjashme,” tha shefi i policisë së Salt Lake City, Brian Redd, sipas AP.
Të gjitha viktimat ishin të rritura, ndërsa të paktën tre nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike.
Kisha e ndërtuar me tulla të kuqe, e cila shërben kryesisht për besimtarë nga komuniteti Tongan, zhvillon rregullisht shërbime në gjuhën e tyre amtare.
Banorët e një kompleksi të banesave me të ardhura të ulëta pranë kishës u hodhën jashtë sapo dëgjuan të shtëna për të ndihmuar viktimat dhe për të ngushëlluar dhjetëra persona që po merrnin pjesë në funeral.
Brennan McIntire dhe bashkëshortja e tij Kenna, të cilët jetojnë pranë kishës, thanë se dëgjuan të shtëna të forta ndërsa shikonin televizor dhe menjëherë dolën jashtë për të parë situatën.
“Ishte e tmerrshme të dëgjoje dhe të shikoje,” tha Kenna, duke treguar skenat kur personeli i emergjencës po ngarkonte një grua të pa ndjenja në ambulancë, ndërsa njerëzit qanin pranë saj.
Policia vazhdon hetimet për të përcaktuar motivet dhe për të identifikuar autorin e të shtënave.