
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër qeverinë për situatën e përmbytjeve në vend. Ai deklaron se reshjet e fundit dhe gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovoreve kanë shkaktuar përmbytje masive në Durrës dhe Novoselë.
Berisha akuzon qeverinë se nuk ka shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe se po tregohet indiferente ndaj qytetarëve të prekur, duke i lënë ata pa mbështetje dhe pa kompensim për dëmet e shkaktuara. Ai i bën thirrje banorëve të evakuohen sa më shpejt për të shmangur rreziqet.
“Përmbytjet kanë marr dimensione të reja dramatike në mbarë vendin. Narko qeveria është në narkozë të plotë, jashtë çdo lloj imagjinate, çdo lloj standardi që në kushte ku mijëra banesa, mijëra qytetarë kanë shtëpitë të përmbytura, biznese, jetën të kërcënuar, qeveria, narkoqevria jo vetëm që nuk shpalli gjenden e fatkeqësisë natyrore që detyron shtetin të aktivizoje burimet për të nxjerrë banoret, por lëshon një tallje cinike që pretendon se opozita po e akuzon për përmbytjet në Greqi. Fantazi e shfrenuar e një njeriu që po përjeton netë tmerri prej krimeve që i janë bërë evidente.
Durrësi është përmbytur nga reshjet, por ajo që e favorizoi është gjendja katastrofale e kanalizimeve, hidrovorëve, atij të Port Romanos dhe zonës sipër Bishtit të Pallës.
I pari ka disa porta që nuk i funksionojnë, gjysmat nuk funksionojnë. Kurse hidrovori i Hamallës i ka pompat e djegura. Kanalizimet janë bllokuar dhe nuk janë pastruar. Gjithçka e favorizon ujin për të përmbytur shtëpitë e banorëve.
Katastrofë është edhe në Novoselë. I bej thirrje banorëve të evakuohen sa më shpejt, sepse Vjosa është lum me rrezik të lartë me befasinë e prirjeve të tij.
Para kësaj situate, dënoj me forcën më të madhe këtë indiferencë çnjerëzore, moshpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, gjendje e cila ka tejkaluar, plotëson në këto rrethe të gjitha kriteret për t’u shpallur.
Por kjo mosshpallje vjen për shkak se nuk duan t’i kompensojnë qytetarët për humbjet e tyre. Sepse shpallja e gjendjes së fatkeqësisë detyron qeverinë të kompensojë të gjitha dëmtimet e krijuara nga fatkeqësia. Këtu qëndron fakti që narko-qeveria dhe Edi Rama sodisin.”