Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet/ Prokuroria e Durrësit nis hetimet për mosfunksionimin e hidrovorit të ri


Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas situatës së rëndë të shkaktuar nga reshjet intensive gjatë dy ditëve të fundit, të cilat kanë përmbytur qindra hektarë tokë dhe kanë vënë në vështirësi më shumë se 1,000 familje në qytet dhe zonat përreth. Hetimi vjen gjithashtu pas humbjes së jetës së një 54-vjeçari, punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh.

Prokuroria po verifikon elementë të veprës penale “shkatërrim i pronës përmes përmbytjes” dhe dyshon se përmbytja e rreth 250 hektarëve tokë mund të jetë pasojë e mosfunksionimit të hidrovorit të ri, për të cilin ishte zhvilluar një tender me vlerë 19 milionë euro, raporton Balkanweb.

Punimet për hidrovorin u fituan nga bashkimi i kompanive “2T”, “Adriatik” dhe “Vëllezërit Hysa”.

Kompania “Adriatik” zotërohet 50% nga Petrit Kovaçi, babai i Spartak Kovaçit, ish-drejtor i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve dhe person i afërt me deputetin e PS, Ceno Klosi.

Spartak Kovaçi konsiderohet pjesë e rrethit të besuar të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim në Kuvend për arrestim, duke e akuzuar për abuzime me tendera me vlera të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të Open Data, kompania “2T” zotërohet 20% nga Artan Sako, vëllai i Gramoz Sakos, aktualisht kryetar i Bashkisë Tepelenë dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës.

Nga informacionet e para, viktima A.H., punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh, kishte shkuar në zonën e përmbytur për të verifikuar situatën e krijuar nga reshjet dhe prurjet e ujit. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e fortë e ujit, duke humbur jetën në vendin e ngjarjes.

Hetimet paraprake të Prokurorisë së Durrësit sugjerojnë se mund të ekzistojnë elementë të veprës penale “shpërdorim detyre”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi personat përgjegjës për mirëmbajtjen dhe menaxhimin e infrastrukturës ujore dyshohet të mos kenë kryer detyrat funksionale, duke dëmtuar rëndë interesat e qytetarëve dhe duke shkaktuar pasoja të rënda materiale e njerëzore.

Në bazë të dëmeve të konstatuara në infrastrukturën publike dhe pronat private, prokuroria po shqyrton gjithashtu elementë të veprave penale “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” (neni 153) dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” (neni 161).