
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me dështimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Bardhi deklaroi se zvarritja e këtij procesi po bëhet qëllimisht nga kryeministri Edi Rama, me synimin për të fituar kohë, pasi sipas tij, Rama tashmë ka dijeni për provat dhe faktet që SPAK ka dorëzuar në formë elektronike.
Ai theksoi se, sipas opozitës, ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme që tregojnë se Balluku ka kryer shkelje të përsëritura ligjore në procedurat për të cilat akuzohet.
“Çdo shqiptar nuk ka nevojë për prova shtesë për të kuptuar se Balluku, në procedurat për të cilat akuzohet, ka të dhëna të mjaftueshme që ka kryer krim në mënyrë të përsëritur. Në gjykimin e pesë anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve, mbrojtja e ligjit është në interes të drejtpërdrejtë të interesit publik”, u shpreh Bardhi.
Ai akuzoi kryeministrin Rama dhe zv/kryeministren Balluku për cenim të drejtësisë, duke shtuar se opozita nuk ka ndërmend të ndërmarrë veprime që do të dëmtonin procesin hetimor.
Sipas Bardhit, strategjia e mazhorancës synon nxjerrjen e provave në publik, çka sipas tij do të dëmtonte hetimet, ndërsa opozitës po i bëhet thirrje që të ndërmarrë veprime që do të cenonin drejtësinë.
“Ne nuk do të bëhemi pjesë e asnjë veprimi që ndihmon Ramën apo dëmton drejtësinë”, përfundoi Bardhi.