
Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin orët e fundit kanë shkaktuar emergjencë në disa qarqe. Gjendja paraqitet tejet e rënduar në Jug dhe Juglindje, ku dalja e lumenjve nga shtrati ka sjellë izolim të banorëve, evakuime dhe bllokim të rrugëve kombëtare.
Durrës
Në të gjithë Rrethin e Durrësit janë evidentuar 953 banesa të cilat kanë prani uji brenda dhe nëpër oborret e tyre. Më konkretisht këto banesa gjenden në zonën e ish Kënetës, në lagjen 14 Shkozet, në Zonën e plazhit, në njësitë administrative Manëz dhe Rrashbull.
160 persona janë strehuar në dy shtëpitë e pushimit, në atë të Ministrisë së Rendit Publik si dhe në atë të Mbrojtjes. Aktualisht janë ngritur 15 grupe pune të cilët po merren me evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga shirat. Ndërkohë janë evidentuar gjithashtu edhe 337 biznese të cilat kanë prani uji në mjediset e tyre.
Gjithashtu nën ujë janë edhe sipërfaqe të tëra të tokave bujqësore në Njësitë administrative të Manzës, Sukthit dhe të Katundit të Ri. Janë mbi 100 ha tokë bujqësore nën ujë.

Qarku Korçë dhe Pogradec
Pogradec: Lumi i fshatit Rrëmenj ka dalë nga shtrati duke përmbytur banesa dhe rrugë. Në Dardhas, rrëshqitjet masive të dherave kanë çarë rrugën e fshatit dhe kanë dëmtuar varrezat.
Maliq dhe Devoll: Fshati Progër është i rrethuar nga uji, ndërsa në Çiflig, Shamoll dhe Denas uji kërcënon banesat.
Incident në Qukës-Qafë Plloçë: Një drejtues mjeti shpëtoi mrekullisht pasi një masiv dheu ra mbi makinën e tij sapo doli nga tuneli në këtë aks rrugor.
Vlorë dhe Fier: Vjosa drejt pikës kritike
Niveli i ujit: Lumi Vjosa ka arritur në kuotën kritike 8 metra te Ura e Mifolit, e ndikuar edhe nga era që pengon derdhjen në det.
Evakuimet: 13 familje janë evakuuar në Vlorë, ndërsa 40 hektarë tokë bujqësore janë nën ujë.
Selenicë: Në fshatin Vajzë, rrëshqitja e tokës ka shkatërruar plotësisht dy banesa.
Fier: Rreth 160 hektarë tokë në fshatrat Çerven, Kashisht dhe Ferras janë përmbytur. Puset e ujësjellësit janë ndotur, duke sjellë kufizime të furnizimit me ujë të pijshëm në qytet pas orës 16:00.

Gjirokastër: Aksi nacional Gjirokastër-Kakavijë është bllokuar në Kordhoçë. Po ashtu, rruga Gjirokastër-Valare është e pakalueshme te Ura e Aznakut.
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar shembjen e një pjese të kodrës në Gjirokastër, duke bllokuar rrugën që lidh katër lagje të sipërme të qytetit.
Si pasojë e rrëshqitjes së dherave, janë izoluar lagjet Manalat i Parë, Manalat i Dytë, Cfakë dhe Dunavat, ndërsa qarkullimi rrugor drejt këtyre zonave është vështirësuar.
Bllokimi i rrugëve dhe probleme në Veri
Burrel-Rrëshen: Ky aks paraqet rrezik të lartë për shkak të rënies së masiveve shkëmbore, veçanërisht pranë urës së Urakës, ku rruga është ngushtuar në vetëm një sens.
Shkodër: Zona e Obotit mbetet e izoluar; kalimi bëhet vetëm me mjete të larta ushtarake për shkak të prezencës së madhe të ujit në rrugë dhe banesa.

Elbasan, Lushnje dhe Tiranë
Elbasan: 5 banesa janë përmbytur në ish-Kombinatin Metalurgjik dhe disa të tjera në Belsh, Jagodinë e Muriqan. Banorët akuzojnë mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese.
Lushnje: Përroi i Lunjës doli nga shtrati duke dëmtuar serat në Karbunarë, por situata po monitorohet përmes hidrovorëve.
Tiranë: Lumi Lana ka pasur prurje të larta, sidomos te “Pallati me Shigjeta”, por deri tani nuk raportohen përmbytje apo bllokime të qarkullimit.


