Vendosni fjalën kyçe....

Tërmeti 6.2 ballë godet Japoninë perëndimore, pa rrezik cunami



Një tërmet me magnitudë 6.2 ballë ka goditur Japoninë perëndimore të martën, njoftoi Agjencia Meteorologjike e vendit. Lëkundjet u regjistruan rreth orës 10:18 sipas kohës lokale, me epiqendër në prefekturën Shimane, në veriperëndim të Japonisë, përcjell DW.

Sipas autoriteteve, tërmeti ishte relativisht i cekët dhe nuk u shoqërua me rrezik për cunami. Ndërkohë, Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara (USGS) e vlerësoi magnitudën e tij në 5.7 ballë.

Lëkundjet u ndjenë në qytetet Matsue dhe Yasugi, si dhe në zona përreth në prefekturën Tottori. Deri më tani nuk raportohet për viktima apo dëme të mëdha materiale. Megjithatë, si masë paraprake, një pjesë e rrjetit të trenave të shpejtë Shinkansen u pezullua përkohësisht.

Autoriteti Rregullator Bërthamor i Japonisë bëri të ditur se nuk janë konstatuar anomali në centralin bërthamor të Shimane-s.

Tërmeti arriti nivelin e sipërm 5 në shkallën japoneze Shindo në qytetin Yasugi, intensitet që mund të rrëzojë mobilie të rënda dhe të vështirësojë drejtimin e automjeteve. Pas goditjes kryesore u regjistruan edhe disa lëkundje më të vogla.

Japonia ndodhet në zonën e njohur si “Unaza e Zjarrit” e Paqësorit dhe është një nga vendet më të prekura nga aktiviteti sizmik, me rreth 1,500 tërmete në vit, shumica prej tyre me intensitet të ulët.