
Reshjet e dendura të shiut gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në aksin nacional Burrel–Skuraj.
Si pasojë e motit të keq, sasi të mëdha gurësh dhe inertesh kanë rrëshqitur nga shpatet e malit, duke përfunduar në asfalt dhe duke rrezikuar lëvizjen e mjeteve. Rrëshqitje masive janë regjistruar pranë urës së Ulzës dhe në sektorin C, ndërsa problematika të ngjashme janë konstatuar edhe në segmente të tjera të këtij aksi.
Gjatë orëve të natës, qarkullimi është zhvilluar vetëm në një krah, pasi drejtimi nga Burreli në Milot ka qenë i bllokuar në disa pika, çka ka shkaktuar vështirësi të mëdha për drejtuesit e automjeteve.
Ky segment rrugor vijon të mbetet problematik sa herë ka reshje shiu, për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të gurëve. Situata rëndohet edhe nga mungesa e sinjalistikës dhe mbrojtëseve anësore, si dhe nga gjendja e amortizuar e rrugës me gropa të shumta, duke rritur rrezikun për aksidente. Një devijim i vogël nga rruga mund të ketë pasoja të rënda, pasi ekziston rreziku që mjetet të përfundojnë në Liqenin e Shkopetit.
Probleme shtesë janë evidentuar edhe nga vërshimi i ujërave në rrugë dhe në tunelin e Shkopetit, duke e bërë qarkullimin edhe më të vështirë.
Aktualisht, firma e mirëmbajtjes rrugore ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e gurëve dhe inerteve, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë aks.