Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet/ Mijëra hektarë tokë, banesa e biznese nën ujë, pezullohet mësimi në Durrës, probleme në Lezhë e Fushë Krujë


Shirat e ditës së sotme kanë përmbytur Durrësin. Qyteti bregdetar u paralizua krejtësisht me rrugët që u bënë të pakalueshme për makinat e qytetarët ndërsa çerdhet, kopshtet e shkollat e ndërprenë procesin.

Nga të dhënat paraprake rreth 800 shtëpi, sidomos në zonën e ish-Kënetës janë të përmbytura dhe të rrethuara nga uji. 180 banorë janë evakuuar dhe janë strehuar tek shtepia e pushimit te ushtrisë.

Qarkullimi në qytet u paralizua gjatë paradites. Qindra makina mbetën nën ujë nga zona e Mauzoleumit të Dëshmorëve deri në zonën e Durrësit të Ri. Përveç banesave të përmbytura, qindra biznese e garazhe janë dëmtuar, vlera e të cilave nuk është llogaritur ende.

Lumi Ishëm ka dalë nga shtrati në fshatin Murqinë e Mallkuç në Fushë- Krujë duke përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore e duke bllokuar dy lagje në fshatin Murqine.

Shirat kanë shkaktuar probleme edhe në Lezhë ku deri tani ka mbi 1 mijë hektarë tokë të përmbytur si dhe dhjetëra banesa të rrethuara nga uji.

Prurjet e shumta nga reshjet e shiut bllokuan hyrjet e pallateve në Lezhë kryesisht në lagjen “Besëlidhja”.  Për shkak të prezencës së ujit në oborre, u anulua procesi mësimor në dy shkolla të Lezhës, “Kosova” dhe “Gjergj Fishta”. 

Lumi Drin përmbyti edhe shëtitoren në lagjen “Skënderbeg”. Për shkak të shirave pati rritje të ndjeshme të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër.

Në Shkodër 15 banesa kanë përfunduar nën ujë.

Në zonën e Kurbinit e Lezhës rreth 2600 ha tokë bujqësore janë nën ujë konkretisht pranë mbikalimit të Patokut në autostradë si dhe në njësinë administrative Mamurras. Rreth 100 banesa në Kurbin u rrethuan nga uji. Në fshatin Fushë-Mamurras është ndërprerë mësimi. Bashkia Kurbin kërkon mbështetje me 4 kamionë të kalueshmërisë së lartë për evakuimin e banorëve, dy varka dhe një pompë me për largimin e ujrave.

Mosfunksionimi i kanaleve kulluese solli përmbytje në të gjithë ultësirën e Krujës. Hektarë të tërë janë nën ujë kryesisht në zonën e Bubqit, Mallkuçit, Murqines, Bilajt, Dervenit, Gramzës.

Probleme ka pasur edhe në Gjirokastër, ku përroi i Ficos ka dalë nga shtrati duke përmbytur zonat përreth.