Vendosni fjalën kyçe....

Administrata e Trumpit planifikon takime me kompanitë amerikane të naftës për rritjen e prodhimit në Venezuelë


Administrata e Trumpit pritet të zhvillojë këtë javë takime me drejtues të kompanive amerikane të naftës për të diskutuar rritjen e prodhimit të naftës në Venezuelë, pas arrestimit të presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane, raportoi Reuters duke cituar burime të njohura me çështjen.

Sipas burimit, takimet konsiderohen kyçe për planet e Shtëpisë së Bardhë për të rikthyer kompanitë kryesore amerikane të energjisë në Venezuelë, një vend anëtar aktual i OPEC-ut, i cili zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, por prodhimi i të cilit ka rënë ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit për shkak të sanksioneve dhe mungesës së investimeve.

Megjithatë, drejtues nga industria e naftës kanë deklaruar se tre kompanitë më të mëdha amerikane, Exxon Mobil, Chevron dhe ConocoPhillips, nuk janë konsultuar ende nga administrata amerikane përpara apo pas largimit të Maduros nga pushteti, duke hedhur poshtë pretendimet e presidentit Donald Trump se kishte zhvilluar tashmë takime me të gjitha kompanitë e naftës.

“Askush në këto kompani nuk ka pasur bisedime me Shtëpinë e Bardhë lidhur me operimin në Venezuelë deri tani”, tha një burim për Reuters.

Shtëpia e Bardhë nuk i konfirmoi zyrtarisht takimet, por deklaroi se beson se industria amerikane e naftës është e gatshme të investojë.

“Të gjitha kompanitë tona të naftës janë të gatshme dhe të interesuara të bëjnë investime të mëdha në Venezuelë për të rindërtuar infrastrukturën energjetike që u shkatërrua nga regjimi i paligjshëm i Maduros”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers.

Vetë Trump ka deklaruar për NBC News se SHBA-ja mund të subvencionojë kompanitë e naftës për të ndihmuar rindërtimin e infrastrukturës energjetike në Venezuelë, duke shtuar se kompanitë ishin në dijeni se administrata po shqyrtonte skenarë veprimi, por nuk ishin informuar paraprakisht për operacionin ushtarak që çoi në arrestimin e Maduros.

Analistët paralajmërojnë se, pavarësisht planeve ambicioze të administratës amerikane, rikthimi i prodhimit të naftës në nivele të larta do të kërkojë vite pune dhe miliarda dollarë investime, për shkak të infrastrukturës së amortizuar, pasigurisë politike dhe paqartësive ligjore.

Aktualisht, Chevron është e vetmja kompani e madhe amerikane që operon ende në Venezuelë, ndërsa Exxon dhe ConocoPhillips kanë qenë të përfshira në procese të gjata arbitrazhi pas shtetëzimit të projekteve të tyre gjatë qeverisjes së Hugo Chávez.

Ndërkohë, Trump ka theksuar se embargoja amerikane ndaj naftës venezueliane mbetet ende në fuqi.

Megjithatë, pritshmëritë e tregjeve për një hapje të mundshme kanë ndikuar pozitivisht bursat, me indeksin energjetik S&P 500 që arriti nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 2025.