
Kryeministri Edi Rama deklaroi se duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm do të zbatohet nisma e “Paqes Fiskale”, e cila tashmë është miratuar si ligj. Rama tha se kjo masë synon të krijojë një marrëdhënie të re besimi mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.
Sipas tij, Paqja Fiskale u jep mundësi bizneseve që nuk janë në konflikt me ligjin të korrigjojnë deklarimet fiskale të viteve të kaluara, duke përfituar një tatim të reduktuar.
“Paqja Fiskale është një zotim i yni nga fushata elektorale, sot është ligj pavarësisht disa debateve të cilat nuk e adresuan dot thelbin e kësaj nisme.
Sot jemi në kushtet që duke nisur nga janari mund të zbatojmë këtë nismë. Është një nismë për të ndërtuar një ure të re besimi dhe ndërveprimi të shëndetshëm mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes.
Nuk është shpikje e jona, ka lindur në Romën e Vjetër dhe është instrument i përdorur prej mijëra vjetësh.
Është një instrument që i jep mundësi sipërmarrjeve që nuk janë në konflikt me ligjin dhe që figurojnë në regjistrat e shtetit si kontributor, që të rishohin pasqyrat fiskal.
U jep mundësi të korrigjohen duke ribërë deklarimet e viteve të shkuara e duke pasur si motivim një tatim shumë më të ulët mbi fitimin se ai që paguhet rregullisht. Për çdo pasqyrë të korrigjuar, fitimi tatohet vetëm 5 për qind”, tha ai.