
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të zhvillojë të hënën në Uashington një takim me zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau, ka bërë të ditur Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një njoftimi zyrtar.
Në njoftim nuk janë dhënë hollësi shtesë lidhur me temat që do të diskutohen në këtë takim, i cili pritet të mbahet pasdite, sipas orës lokale të Kosovës, shkruan Koha.
Presidentja Osmani është takuar me zëvendëssekretarin Landau edhe në korrik të këtij viti, kur palët kishin diskutuar për fushat potenciale të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara në të ardhmen. Ajo kishte theksuar se të dy vendet mund të përfitojnë nga bashkëpunimi në sektorin e energjisë, të teknologjisë informative dhe të mbrojtjes.
Gjatë këtij viti, Osmani ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë, në margjinat e samiteve të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump dhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.
Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara kanë pësuar një goditje më herët gjatë vitit, pas vendimit të Uashingtonit për të pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik të planifikuar me Kosovën. Ky vendim u mor për shkak të shqetësimeve të shprehura nga pala amerikane lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës. Dialogu strategjik ishte paraparë të shërbente për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve, por veprimet e ekzekutivit kosovar janë vlerësuar si pengesë për përparim në këtë drejtim.
Në vitet e fundit, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë disa herë objekt kritikash nga aleatët ndërkombëtarë, për shkak të vendimeve të marra në veri të Kosovës, zonë e banuar kryesisht me serbë. Këto vendime kanë pasur të bëjnë me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen e dinarit serb nga përdorimi dhe mbylljen e institucioneve serbe.
Kurti i ka arsyetuar këto veprime si hapa të domosdoshëm drejt shtrirjes së sundimit të ligjit në veri të vendit dhe ka deklaruar se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Megjithatë, bashkësia ndërkombëtare, në disa raste, i ka cilësuar këto masa si të njëanshme dhe të pakoordinuara me aleatët.
Vetë Kurti ka deklaruar ditë më parë se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara janë shumë të mira dhe se mospajtimet kryesore kanë qenë gjithmonë të lidhura me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe jo me çështje bilaterale ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.
I pyetur lidhur me këto deklarata, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i ka thënë Radios Evropa e Lirë më 17 dhjetor se synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re që do të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, me qëllim avancimin e prioriteteve të përbashkëta.
Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë ndihmë për Kosovën që nga viti 1998. Ndër vite, udhëheqësit shtetërorë kosovarë kanë përsëritur vazhdimisht se Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj konsiderohet jetike për vendin.