
Burri i dyshuar për kryerjen e një sulmi në Tajvan me një granatë tymuese dhe thikë ka vepruar i vetëm, njoftoi policia të shtunën lidhur me ngjarjen e rëndë që la të vdekur katër persona, përfshirë edhe vetë sulmuesin.
Chang Wen, 27 vjeç, nga qyteti verior i Taoyuan, vdiq pasi ra nga një ndërtesë gjatë një ndjekjeje nga policia mbrëmjen e së premtes në një zonë tregtare të mbushur me njerëz në qendër të Taipei-t, bëri me dije policia.
“Bazuar në punën përkatëse verifikuese të kryer vazhdimisht që nga dje, nuk kemi gjetur prova që i dyshuari të ketë pasur bashkëpunëtorë të tjerë,” u tha gazetarëve Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Policisë, Chang Jung-hsin.
Ai shtoi se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivin e ngjarjes.
Kryeministri Cho Jung-tai tha vonë të premten se ndaj burrit ishte lëshuar më parë një urdhërarresti, pasi kërkohej për shmangien e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Tajvan.
Njëmbëdhjetë persona mbetën të plagosur nga sulmi, dy prej të cilëve ndodhen në kujdes intensiv, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.
Sipas policisë, Chang Wen hodhi bomba tymuese në stacionin kryesor të trenit në Taipei, e më pas u drejtua drejt një qendre tregtare në një stacion metroje aty pranë, duke sulmuar njerëzit si brenda qendrës, ashtu edhe rrugës për atje, shkruan Reuters.