Vendosni fjalën kyçe....

Raportet e Inteligjencës amerikane paralajmërojnë se Putini synon pushtimin e të gjithë Ukrainës


Raportet e inteligjencës amerikane vazhdojnë të paralajmërojnë se Presidenti rus Vladimir Putin synon të pushtojë të gjithë Ukrainën dhe të rimarrë pjesë të Evropës që i përkisnin ish-perandorisë sovjetike, thanë gjashtë burime të njohura me inteligjencën amerikane, edhe pse negociatorët kërkojnë një fund të luftës që do ta linte Rusinë me shumë më pak territor.

Raportet paraqesin një pamje krejtësisht të ndryshme nga ajo e paraqitur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe negociatorët e tij të paqes në Ukrainë, të cilët kanë thënë se Putin dëshiron t’i japë fund konfliktit. Raporti më i fundit daton nga fundi i shtatorit, sipas njërit prej burimeve.

Informacioni gjithashtu kundërshton mohimet e udhëheqësit rus se ai është një kërcënim për Evropën.

Gjetjet e SHBA-së kanë qenë të qëndrueshme që kur Putini nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë në vitin 2022. Ato përputhen kryesisht me pikëpamjet e udhëheqësve evropianë dhe agjencive të spiunazhit se ai dëshiron të gjithë Ukrainën dhe territoret e ish-shteteve të bllokut sovjetik, përfshirë anëtarët e aleancës së NATO-s, sipas burimeve.

“Informacionet e inteligjencës kanë qenë gjithmonë se Putini dëshiron më shumë”, tha Mike Quigley, një anëtar demokrat i Komitetit të Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve, në një intervistë për Reuters.

“Evropianët janë të bindur për këtë. Polakët janë absolutisht të bindur për këtë. Vendet baltike mendojnë se janë të parët.”

Rusia kontrollon rreth 20% të territorit të Ukrainës, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luhanskut dhe Donetskut, provincat që përbëjnë zemrën industriale të Donbasit, pjesë të provincave Zaporizhzhia dhe Kherson dhe Krimenë, gadishullin strategjik të Detit të Zi.

Putini pretendon se Krimea dhe të katër provincat i përkasin Rusisë. Trump po i bën presion Kievit që të tërheqë forcat e tij nga pjesa e vogël e Donetskut që ata kontrollojnë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të propozuar, sipas dy burimeve të njohura me çështjen, një kërkesë që Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe shumica e ukrainasve e refuzojnë.

“Ekipi i presidentit ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në lidhje me përfundimin e luftës” dhe Trump ka deklaruar se një marrëveshje paqeje “është më afër se kurrë më parë”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pa iu referuar raporteve të inteligjencës.