Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali nga Athina: Mbështetje për integrimin në BE, Greqia të heqë ligjin e luftës dhe të njohë vitet e punës


Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Greqi me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.

Gjatë një konference të përbashkët me homologun grek, Giorgos Gerapetritis, Spiropali deklaroi se Shqipëria ka marrë rikonfirmimin e mbështetjes së Greqisë për procesin e integrimit europian, 

Spiropali theksoi se bashkëpunimi dypalësh mes Shqipërisë dhe Greqisë mbështetet sot mbi dy shtylla kryesore: e tashmja e përbashkët në NATO dhe e ardhmja e përbashkët në Bashkimi Evropian.

Sipas saj, qeveria e kryeministrit Edi Rama e ka konsideruar partneritetin me Greqinë si strategjik që në programin e parë qeverisës dhe e ka forcuar atë në vijimësi në të gjitha dimensionet e bashkëpunimit.

Ajo nënvizoi se integrimi europian mbetet objektiv kombëtar dhe shoqëror për Shqipërinë, me synimin për mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027, duke e cilësuar këtë si një sfidë të madhe, por të realizueshme.

 “Bashkëpunimi dypalësh midis dy vendeve tona mike mbështetet sot edhe në dy shtylla të fuqishme që janë: e sotmja e përbashkët në Aleancën e Atlantikut të Veriut dhe e nesërmja e përbashkët në Bashkimin Evropian.

Për të gjithë gjerësinë e thellësinë e vet, qeveria e Edi Ramës e ka konsideruar dhe përcaktuar si strategjik partneritetin mes dy vendeve tona, qysh në programin e parë të qeverisë e në vijim. Objektivi ynë kombëtar dhe shoqëror, kushtetues dhe shpirtëror, integrimi europian, nënkupton mbylljen e grupkapitujve të negociatave deri në vitin 2027 – një sfidë e madhe, por e realizueshme. Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme dhe vendimtare të Greqisë në këtë proces, mbështetje që ka qenë dhe mbetet vendimtare” – tha ajo.

Spiropali në Greqi: Jemi anëtarë të NATO-s, hiqni ligjin e luftës! Të hapur për dialog për çështjen e detit

Ministrja bëri të ditur se gjatë takimeve në Athinë ka marrë rikonfirmimin se kjo mbështetje do të vijojë deri në përfundimin e negociatave teknike të anëtarësimit, proces që përkon edhe me Presidencën e ardhshme të Greqisë në BE në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Në fjalën e saj, Spiropali u ndal edhe te bashkëpunimi ekonomik, duke e cilësuar Greqinë si një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë dhe investitorë për Shqipërinë.

Ajo theksoi se ekziston ende potencial i madh i pashfrytëzuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, duke bërë thirrje për rritjen e investimeve direkte greke në Shqipëri dhe për diversifikimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

“Me presidentin dhe ministrin, mikun tim, mora rikonfirmimin për vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje deri në përfundimin e bisedimeve teknike të anëtarësimit të Shqipërisë që përkon edhe me Presidencën e ardhshme e Greqisë në BE në gjysmën e dytë të vitit 2027.

Ndaj ndërkohë, ne duam të thellojmë dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ekspertizës teknike në përgatitje për një Presidencë sa më produktive, në raport me rajonin tonë, ku Greqia në krye të BE-së, do të jetë si të thuash “the adult in the room” për Ballkanin Perëndimor. Ne presim që Greqia të përdorë peshën e saj politike për të avancuar idenë e një hapësire të përbashkët evropiane, ku rajoni të trajtohet si një tërësi strategjike, në respekt dhe të meritave të gjithësecilit.

Greqia si fuqi rajonale ekonomike, mbetet një partner shume i rëndësishëm për Shqipërinë. Treguesit e tregtisë dhe investimeve e vendosin Greqinë në krye të listës së partnerëve tanë kryesorë, por jemi të gatshëm për ta çuar në nivel tjetër këtë bashkëpunim.

Shqipëria është vendi ideal për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme greke, por dhe për të mëdhatë.

Ndaj në një klimë miqësore, mikpritëse, lehtësuese, me burime njerëzore që mirëkuptohen në gjuhë, kulturë dhe traditë, ne duhet të kemi ambicien e përbashkët që të tejkalojmë rregullisht vitin më të mirë të investimeve greke në vendin tonë dhe në importet dhe eksportet e përbashkëta. Kemi potencial të madh ende të pashfrytëzuar për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Edhe nesër në takimin me përfaqësues të biznesit grek, do të bëj thirrje, ashtu si dhe prej kësaj foltoreje, për rritjen e investimeve direkte në Shqipëri, si dhe për të thelluar dhe diversifikuar bashkëpunimin ekonomik.”, – u shpreh Spiropali.

Më tej Spiropali u shpreh se momenti aktual i marrëdhënieve dypalëshe krijon kushtet për trajtimin dhe mbylljen përfundimtare të çështjeve të mbetura nga e shkuara, përfshirë edhe ligjin e luftës, një kërkesë e artikuluar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama.

“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e Dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, deklaroi Spiropali.

Gjithashtu Spiropali, ka theksuar në Athinë rëndësinë e vijimit të negociatave teknike mes Shqipërisë dhe Greqisë për njohjen e viteve të punës të shqiptarëve që prej vitesh kanë kontribuar në shtetin grek.

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun e saj grek, Giorgos Gerapetritis, Spiropali u shpreh se një marrëveshje bilaterale për mbrojtjen sociale do të ishte një hap i rëndësishëm për garantimin e të drejtave të punëtorëve dhe trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dyja vendeve.

“Ne do ta çmonim shumë vazhdimin e negociatave teknike për marrëveshjen bilaterale për mbrojtjen sociale. Kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm përpara në mbrojtjen e të drejtave të sigurimeve shoqërore dhe në garantimin e trajtimit të barabartë për punëtorët dhe personat e vetëpunësuar, si për shqiptarët në Greqi ashtu edhe për qytetarët grekë që punojnë në Shqipëri”, deklaroi ministrja.

Ajo nënvizoi se Shqipëria ka tashmë një përvojë pozitive në këtë drejtim, duke kujtuar se marrëveshje të ngjashme janë nënshkruar me disa vende të Bashkimit Evropian.

“Një shembull pozitiv dhe inkurajues është përvoja e suksesshme me firmosjen e marrëveshjeve të ngjashme me shumë vende partnere të Bashkimit Evropian, përfshirë Italinë në vitin 2024, apo edhe vende të tjera”, tha Spiropali.