
Shefi i shërbimit sekret izraelit Mossad, David Barnea, ka deklaruar se Irani nuk ka hequr dorë nga ambicia për të zhvilluar armë bërthamore dhe për të kërcënuar ekzistencën e Izraelit. Deklarata u bë gjatë një ceremonie ku u nderuan punonjës të shquar të Mossadit, përcjell YNetNews.
Barnea theksoi se Teherani synon të mashtrojë sërish komunitetin ndërkombëtar përmes një marrëveshjeje të re bërthamore, duke paralajmëruar se Irani do të ecë përpara drejt kapaciteteve bërthamore “në momentin e parë që do të mundet”.
“Teherani nuk e ka braktisur kurrë aspiratën për të shkatërruar Shtetin e Izraelit. Ideja e vazhdimit të zhvillimit të një bombe bërthamore ende pulson në zemrat e tyre,” u shpreh Barnea, duke shtuar se Izraeli, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, ka dëmtuar rëndë projektin bërthamor iranian dhe se nuk do të lejojë kurrë aktivizimin e tij.
Ai deklaroi gjithashtu se Izraeli nuk do të pranojë një marrëveshje bërthamore që, sipas tij, do t’i hapte rrugë Iranit drejt armëve atomike.
Në fjalën e tij, Barnea iu referua edhe një sulmi të përgjakshëm në Australi, duke deklaruar se Mossadi do të ndjekë autorët e sulmit dhe ata që i mbështesin, përfshirë “strukturat iraniane dhe xhihadiste”, kudo që ndodhen.
“Do t’i gjejmë sulmuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Drejtësia do të vihet në vend dhe do të shihet. Ata e dinë këtë,” përfundoi shefi i Mossadit.