Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e thirrur nga Berisha, Basha: I kemi marrë të gjitha masat t’u përgjigjemi agresorëve


Kreu i PD-së Basha tha sot se forca politike që drejton i ka marrë të gjitha masat për t’u përballur e për t’u treguar fuqinë e ligjit agresorëve që sipas tij do mblidhen nesër para selisë së partisë e që kanë projektuar skenare dhune.

Ai u bëri thirrje të gjithë demokratëve që të hedhin poshtë skenaret e dhunës të ish-kryeministrit Berisha e personave që e rrethojnë.

Në një deklaratë të drejpërdrejtë nga selia blu, Basha theksoi se lëvizjet e Berishës gjatë muajve të fundit i kanë dhënë oksigjent regjimit të Edi Ramës dhe se ai i ka mashtruar mbështetësit e tij lidhur me shpalljen non grata nga administrata e SHBA-së.

Kryedemokrati tha gjithashtu se PD-ja është e vetmja forcë politike që do i japë fund qeverisjes së kryeministrit Rama dhe se është e hapur për të gjithë demokratët po jo për trafikantët dhe ish-zyrtarët e korruptuar.

“Në Kuvendin e 18 dhjetorit ne përparuam me nismat tona për një parti demokratikre të pastruar nga lidhjet e së shkuarës, me idenë si do jetë PD sot do jetë Shqipëria nesër. Ne e kthyem në standard se ata që janë shpallur non grata nga SHBA nuk mund të jenë në pozicione drejtuese në parti. Do vijojmë me bindjen se jemi e vetmja forcë politike që mund t’i japë fund e do i japë fund regjimit të Ramës. Lëvizjet e Berishës këto muaj kanë shërbyer për t’i dhënë oksigjen regjimit të Edi Ramës. Sali Berisha ka thirrur një protestë kundër PD-së nesër.

I thjm boll është boll. U drejtohem demokratëve që kanë dashur thirrjen e një Kuvendi, i cili u thirr më 18 dhjetor. Sali Berisha ju ka mashtruar kur ju tha se nuk e kam votuar në kryesi vendimin për perjashtim e tij. Në vijim, kryesia, Këshilli Kombëtar dhe Kuvendi Kombëtar i PD-së kanë vendosur t’i qëndrojnë me vendosmëri qëndrimeve zyrtare të PD-së. Sali Berisha ka mashtruar dhe ka dashur t’u bëjë për budallenj me sajesat e tij për shpalljen non grata ndërkohë që motivacioni është i qartë. Shpallja non grata po ngrihet si stuhi në Shqipëri dhe Ballkan. Ai ka mashtruar me procedurën e shpalljes së tij non grata që përfshin disa agjenci amerikane.

Ai ju ka mashtruar duke mos ju thënë se SHBA e Biden e kanë thënë qartë se nuk do bashkëpunojnë me një parti që drejtohet nga një person i shpallur non grata. Ai ju ka gënjyer duke përjashtuar veten nga vendimmarrjet e rëndësishme të PD-së këto vite. Ai ju ka mashtruar duke shpifur kundër meje pa asnjë fakt, pa asnjë provë. Ai ka mashtruar me të ashtuquajturin referendum ku vetë i bën listat, vetë vulos, vetë firmos. Referendumi është mashtrimi më i madh, me numra të stisur, me kuti të mbushura.

Ai nuk njeh as statut, as rregulla kur vjen puna te interesi personal. Selia është e demokratëve pa dallim, shtëpia e lirisë, mendimit të lirë, rreth interesit që na bashkon që është largimi i qeverisë së Edi Ramës. por nuk do jetë një han mesjetar ku mund të hyjnë eksponentë të botës së krimit apo të merret peng nga ish-zyrtarë. Selia nuk do jetë arenë vetëgjyqësie për interesat e Sali Berishës.

Përplasje të tjera nga Berisha dhe skenaristët e protestës nuk do ketë. Nesër ai ka mobilizuar trafikantë për dhunë. PD ka marrë masa të përballet e t’u tregojë fuqinë e ligjit agresorëve. Mbështetësve të mi, të PD-së, kundërshtarëve të mi, u them të qëndrojmë bashkë kundër regjimit të Edi Ramës.” – tha ndër të tjera Basha në deklaratën e tij.