Vendosni fjalën kyçe....

Kategoria e Parë/ Laçi mposht 2-1 Skënderbeun mes tensioneve dhe katër kartonave të kuq


Kategoria e Parë mbylli këtë të shtunë pesë nga gjashtë ndeshjet e raundit të 16-të, me rezultate që rihapën garën për vendin e parë dhe sollën tension të lartë në Laç.

Në kryendeshjen e javës, Laçi triumfoi 2-1 ndaj Skënderbeut në një sfidë të shoqëruar me përplasje dhe katër kartona të kuq.

Olsi Myrta dhe Stiven Biba realizuan për vendasit, ndërsa për korçarët ngushtoi diferencën Altin Ukiç në minutat e fundit. Ndeshja u mbyll me tension, pasi Taleb dhe Nerguti u ndëshkuan me karton të kuq për Laçin, ndërsa te Skënderbeu u përjashtuan sulmuesi Mario Gjata dhe ndihmëstrajneri Gentian Lico.

Tri pikët i japin Laçit një shtysë të fortë në luftën për kreun e renditjes.

Në Fier, Korabi regjistroi një fitore bindëse 3-0 ndaj Apolonisë në stadiumin “Loni Papuçiu”. Golat për peshkopianët u shënuan nga Xhika, Morina dhe Marku nga pika e bardhë, duke i siguruar ekipit tri pikë të rëndësishme në transfertë.

Pogradeci u rikthye te fitorja duke mposhtur 2-0 Kukësin, falë dopietës së Freeman Pius, ndërsa dy përballjet e tjera të ditës u mbyllën në barazim. Burreli dhe Kastrioti ndanë pikët pa gola, ndërsa Iliria barazoi 1-1 me AF Luftëtarin.

Raundi i 16-të do të mbyllet të dielën me ndeshjen Lushnja – Besa.

Pas këtyre rezultateve, Skënderbeu kryeson renditjen me 34 pikë dhe një ndeshje më pak për t’u luajtur ndaj Ilirisë, ndërsa Laçi ngjitet në vendin e dytë me 30 pikë, duke e mbajtur të hapur garën për vendin e parë.