Vendosni fjalën kyçe....

Avokatët e Veliajt kërkojnë përshpejtim në Kushtetuese: Vonesa po dëmton funksionimin e Tiranës


Avokatët e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i kanë drejtuar një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për përshpejtimin e shqyrtimit të padisë së depozituar prej tyre, me të cilën kërkohet shfuqizimi i masës së sigurisë “arrest në burg”, që sipas mbrojtjes është antikushtetuese dhe po sjell pasoja për kryeqytetin për shkak të mungesës së kryebashkiakut në detyrë.

Kërkesa për përshpejtim vjen dy javë pasi Veliaj, i arrestuar që prej muajit shkurt, i është drejtuar Kushtetueses për të kundërshtuar vendimet e gjykatave më të ulëta që kanë lënë në fuqi masën e paraburgimit. Deri tani, Gjykata Kushtetuese nuk ka caktuar një datë për shqyrtimin e çështjes.

Ndërkohë, çështja penale ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë ndodhet në fazën e seancës paraprake, ku pritet të vendoset nëse dosja e SPAK do të kalojë ose jo për gjykim. Seanca e radhës, ku kryebashkiaku pritet të paraqesë mbrojtjen e tij, është caktuar për më 5 janar.

Në seancën e fundit, Veliaj kërkoi nga gjykata që t’i garantohet akses real në materialet e dosjes, duke theksuar se SPAK ia ka vënë ato në dispozicion vetëm në formë USB-je, ndërkohë që në ambientet e paraburgimit nuk ka mundësi përdorimi kompjuteri.

Ai foli për standarde të dyfishta në trajtimin e të pandehurve, duke përmendur raste të tjera kur materialet janë vënë në dispozicion në forma të ndryshme.

SPAK e akuzon Erion Veliajn për korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e burgut.