
FUSHË KRUJË – SPAK ka goditur disa grupe kriminale, bashkë me 5 drejtues të tyre që dyshohet se 5 vitet e fundit kanë trafikuar drogë në vlera miliona euro nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.
Në total janë lëshuar 14 masa sigurie, 10 prej të cilave janë ekzekutuar. Tre prej këtyre janë aktualisht në burg, dhe masa e arrestit iu është komunikuar në qeli. Në kërkim mbeten 4 të tjerë, shkruan Shqiptarja.com.
Në pranga janë vënë Marvin Bushati, Agim Nina alias Lorenc Selmani, Sokol Qaja, Zamir Aliaj dhe tre anëtarë të fisit Rraja, Gazmir, Përparim dhe Rexhep Rraja. Ky i fundit djali i ish deputetit të PS-së, Rrahman Rraja, ndërsa dy të tjerët kushërinj të tij.
Gjatë kontrolleve në banesat e Rrajave, policia sekuestroi 430 mijë euro, 415 mijë ishin në euro, ndërsa pjesa tjetër lekë dhe dollarë. Po ashtu u sekuestruan automjete dhe orë Rolex.
Aktualisht në burg ndodhen Islam Sefa, Aldo Gjini dhe Jani Çavo, ku edhe iu është komunikuar masa tjetër e arrestit. Në kërkim janë Ervis Shuli, Bujar Sefa, Hajdar Sefa dhe Vildan Baroku, të cilët dyshohet se janë jashtë vendit.
Financues dhe organizator kryesor, dyshohet të jetë Islam Sefa, aktualisht në burg si kreu i një rrjeti që në më pak se 2 vite ka trafikuar marijuanë në Gjermani dhe disa vende të BE-së në vlerën 3.3 milionë euro. Grupet vepronin që nga viti 2020.
Bëhet fjalë për disa episode trafikimi, në disa shtete të ndryshme. Hetimet, të drejtuara nga prokurori Adnan Xholi, nisën pas bisedave të zbuluara në SkyEcc.
Krahas masave të sigurisë, janë ushtruar kontrolle edhe në banesa me urdhër të GJKKO, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme parash, armë, automjete etj. Sipas raportimeve, grupet trafikonin kokainë dhe marijuanë nga Mali i Zi, Turqia dhe drejt vendeve të BE-së.
Gjatë kontrolleve në banesat e anëtarëve të fisit Rraja, që ranë në pranga në kuadër të operacionit të SPAK, policia ka gjetur dhe sekuestruar vlera të konsiderueshme parash që kapin shifrën e 430 mijë eurove. 415 mijë ishin në euro, ndërsa pjesë tjetër në lekë dhe dollarë.
Po ashtu, u sekuestruan edhe automjete dhe ora Rolex.
Kush janë të arrestuarit dhe ata në kërkim
Rexhep Rraja, djali i ish deputetit Rrahman Rraja, dhe kushëriri Përparim Rraja ishin në kërkim nga policia e Fushë Krujës për dhunën në guroren e këtij të fundit në Borizanë, ngjarje e ndodhur më 6 korrik 2023.
Dhuna barbare ndodhi pasi dy kushërinjtë Bilbil e Jashar Maja kishin denoncuar në polici se gurorja e Përparim Rrajës po u prishte shtëpitë në Borizanë. Anëtarët e fisit Rraja i bënë për spital pasi i dhunuan me shkopinj bejsbolli dhe mjete të tjera të rënda.
Rexhep Rraja, përveç dhunës barbare ndaj kushërinjve Maja, njihet për historinë e bujshme me Xhisiela Malokun, vajzën nga Fushë-Kruja, e cila në 2018-ën, denoncoi se u dhunua nga partneri pas ndarjes, por 4 orë më pas tërhoqi denoncimin.
Tre personat që janë në burg për të njëjtin aktivitet kriminal. Islam Sefa u arrestua në korrik të vitit 2024 në një lokal afër SPAK për trafik droge. Ai akuzohet si drejtues dhe financues i një grupi që trafikoi 912 kg marijuanë në vlerë 3.3 milionë euro drejt Gjermanisë. Më 18 dhjetor të këtij viti, GJKKO e dënoi me 11.4 vite burg për trafik droge në 9 episode. Vëllai i tij, Bujar Sefa, në kërkim për këtë operacion, u dënua në mungesë me 10 vite burg më 1 korrik të vitit 2024 si drejtues i një grupi kriminal që kultivonte parcela me kanabis në disa zona të Krujës.
Të dy vëllezërit, Islam dhe Bujar Sefa, sipas shkrimeve të kohës, rezultojnë të dënuar në vitin 2021 në Itali me nga 9 dhe 12 vjet burg, si pjesë e një organizate që merrej me trafikun e drogës nga Holanda në Venezia, gjatë viteve 2016-2017.
Jani Çavo, të cilit masa iu komunikua në burg, u arrestua në qershor 2023 si pjesë e një grupi që trafikonte kanabis nga Siria dhe heroinë që vinte nga Turqia, me vlerë deri në 2.7 milionë euro.
Në dhjetor të vitit të kaluar, GJKKO e dënoi grupin e tij në total mëe 107 vite burg, ndërsa Çavo u dënua me 8.8 vite burg.
Aldo Gjini po ashtu është arrestuar më herët. Në korrik 2021, u përfshi në një plagosje në Tiranë. Gjini rezulton i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga EUROPOL për akuzat tentativë vrasje, trafikim armësh dhe municionesh luftarake. Dyshohet edhe si autor i një plagosjeje në 2020 në Luksemburg. Në vitin 2016, u arrestua në Itali për shpërndarje droge.
Për Ervin Shulin nuk figurojnë të dhëna mbi të shkuarën e tij dhe ende për të nuk ka informacione zyrtare për rolin në këto grupe kriminale. Dy nga 4 të kërkuarit e tjerë, Hajdar Sefa dhe Vildan Baraku kanë qenë bashkëpunëtorë, në grupin kriminal të drejtuar nga Islam Sefa, të 3.3 mln euro marijuanë të trafikuar në Gjermani.
TË ARRESTUARIT:
Marvin Bushati, 43 vjeç nga Shkodra
Agim Nina alias Lorenc Izet Selmani, 51 vjeç nga Durrësi
Sokol Qaja, 41 vjeç nga Tirana
Gazmir Rraja, 35 vjeç nga Nikla
Përparim Rraja, 50 vjeç nga Nikla
Rexhep Rraja, 31 vjeç nga Nikla
Zamir Aliaj
Në burg ndodhen:
Islam Sefa
Aldo Gjini
Jani Çavo
NË KËRKIM:
Ervis Shuli
Bujar Sefa
Hajdar Sefa
Vildan Baroku