
Liderja e opozitës venezueliane Maria Corina Machado nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e çmimit Nobel të Paqes, pasi vijon të qëndrojë në fshehje. Organizatorët konfirmuan se çmimin do ta marrë vajza e saj, ndërsa vendndodhja e Machado-s mbetet e panjohur.
Machado është shfaqur në publik vetëm një herë që nga gushti i vitit të kaluar, kur ajo u zhduk nga skena publike në mes të tensioneve me presidentin Nicolas Maduro, përcjell DW.
Prokurori i përgjithshëm i Venezuelës paralajmëroi se 58-vjeçarja do të konsiderohej “e arratisur” nëse largohej nga vendi për të marrë çmimin.
Edhe orë para ceremonisë, që zhvillohej në orën 13:00 CET, nuk ishte e qartë nëse ajo do të arrinte të udhëtonte drejt Norvegjisë.
Machado fitoi zgjedhjet paraprake të opozitës në vitin 2024 dhe synonte të sfidonte Maduro-n, por qeveria e përjashtoi nga gara elektorale. Ajo nuk është shfaqur në publik prej 11 muajsh dhe u pa për herë të fundit në një protestë në Caracas. Që nga tetori, kur u shpall fituese e Nobelit, nuk dihej nëse do të ishte e mundur të udhëtonte.
Machado u vlerësua për përpjekjet e saj drejt një “tranzicioni të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci” në Venezuelë.
Ajo u detyrua të fshihej pas zgjedhjeve që i dhanë Maduro-s mandatin e tretë — rezultat që nuk njihet nga SHBA, BE dhe një sërë qeverish në Amerikën Latine.
Machado pretendon se Maduro i ka vjedhur zgjedhjet kandidatitt të opozitës, Edmundo Gonzalez Urrutia, i cili mori drejtimin e lëvizjes demokratike pasi Machado u skualifikua.
Instituti Nobel kishte njoftuar fillimisht se Machado do të merrte pjesë fizikisht dhe kishte planifikuar një konferencë për shtyp dhe intervista, të gjitha më pas të anuluara.
Në ceremoninë e Oslos tashmë kanë mbërritur një numër i madh venezuelianësh në ekzil, si edhe presidentët e Argjentinës, Panamasë, Ekuadorit dhe Paraguajit, të cilët marrin pjesë për të mbështetur opozitën demokratike të Venezuelës.