Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar thërret Elon Musk: Hajde dëshmo për blerjen e Twitter-it


Ligjvënësit britanikë i kanë bërë thirrje sipërmarrësit miliarder Elon Musk që të dëshmojë për blerjen e planifikuar prej 44 miliardë dollarësh të rrjetit social Twitter, duke i kërkuar atij të tregojë me detaje për vizionin e tij për gjigantin e mediave sociale.

Kërkesa u bë publike herët në mëngjes të mërkurën nga deputeti Julian Knight, i cili kryeson Komitetin pwr Dixhitalizimin, Kulturën, Median dhe Sportin të Britanisë së Madhe. Në një letër të datës 29 prill, Knight tha se paraqitja do t’i jepte Musk një shans për të diskutuar planet e tij për platformën “në më shumë thellësi”.

“Komiteti im ka vënë në dukje blerjen tuaj të propozuar të Twitter-it dhe ne jemi të interesuar për zhvillimet që ju propozoni.”- thuhej në letër.

“E di që keni shprehur dëshirën tuaj që kritikët të mbeten në Twitter dhe kjo mund të paraqesë një mundësi për të adresuar çdo kritikë në publik.”– vijon letra.

Në një deklaratë të veçantë, Knight vazhdoi të thoshte se ligjvënësit janë “të prirur të mësojnë më shumë se si zoti Musk do të balancojë angazhimin e tij të qartë ndaj fjalës së lirë me detyrimet e reja për të mbrojtur përdoruesit e Twitter nga dëmtimet në internet”.

Elon Musk i tha Associated Press se megjithëse ai është “i nderuar” nga ftesa, “do të ishte e parakohshme në këtë kohë për ta pranuar” duke qenë se aksionerët e Twitter-it nuk kanë votuar ende për të miratuar marrëveshjen shumë miliarda dollarëshe.

Letra e Knight vjen ndërsa deputetët britanikë shqyrtojnë legjislacionin për “sigurinë në internet” që do t’u jepte rregullatorëve fuqi gjithëpërfshirëse për të shtypur mediat sociale dhe platformat e tjera të internetit. Projektligji përmban një masë që do të detyronte faqet më të mëdha të lejojnë përdoruesit të verifikojnë identitetin e tyre dhe t’u ofrojnë atyre zgjedhjen e shmangies së ndërveprimeve me llogari të paverifikuara.

Musk ka deklaruar më parë se ai do të donte që Twitter të “vërtetonte të gjithë njerëzit”, megjithëse ai nuk elaboroi se si mund të bëhet kjo.

Në vitin 2018, i njëjti komision parlamentar bëri ​​një ftesë të ngjashme për CEO-n e atëhershëm të Facebook-ut, Mark Zuckerberg për t’iu përgjigjur pyetjeve gjatë një hetimi për ‘lajmet e rreme’ në internet, por ai nuk pranoi të shfaqej.