Vendosni fjalën kyçe....

Putin: Plani amerikan i paqes bazë për t’i dhënë fund luftës, por Rusia nuk lëviz nga vijat e kuqe


Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi sot nga Bishkeku, Kirgistani, se një draft-marrëveshje paqeje i propozuar nga Shtetet e Bashkuara “mund të shërbejë si bazë për marrëveshje të ardhshme”, por theksoi se dokumenti “ka ende nevojë për punë”, duke sinjalizuar se Moska nuk është gati të bëjë lëshime thelbësore.

Putin përsëriti kërkesat kryesore të Kremlinit, duke theksuar se njohja ndërkombëtare e territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainë mbetet një vijë e kuqe e panegociueshme, sipas The Guardian.

Ai nënvizoi se Ukraina duhet të tërheqë trupat nga zonat kyçe, duke pretenduar se nëse kjo ndodh “lufta do të përfundojë”, por paralajmëroi se në të kundërt “forcat ruse do t’i arrijnë objektivat me forcë”.

Kreu i Kremlinit e cilësoi udhëheqjen ukrainase si “jo legjitime”, duke pretenduar se nuk ka autoritet të nënshkruajë një marrëveshje paqeje, një qëndrim që Kievi dhe Perëndimi e hedhin poshtë plotësisht.

Putin reagoi edhe ndaj sanksioneve të reja amerikane ndaj kompanive ruse të naftës, duke thënë se ishte i surprizuar dhe akuzoi Uashingtonin se po shkatërron marrëdhëniet dypalëshe.

Ai paralajmëroi Evropën për pasoja të rënda nëse vendet perëndimore konfiskojnë asetet ruse, duke e quajtur një veprim të tillë “vjedhje pasurie” që do të godiste sistemin financiar global.

Megjithatë, presidenti rus mohoi çdo synim për të sulmuar vendet evropiane, duke e cilësuar këtë ide “absurde”.

Këto deklarata vijnë në një moment kur negociatorët e Ukrainës dhe SHBA-së pritet të zhvillojnë takime të reja për propozimet e fundit të paqes, ndërsa vendet evropiane intensifikojnë përpjekjet diplomatike për të ndikuar në procesin e ndjeshëm të bisedimeve.