
Të paktën 36 persona kanë humbur jetën nga një zjarr i madh që ka përfshirë disa ndërtesa banimi në distriktin Tai Po të Hong Kongut, ndërsa 279 persona rezultojnë ende të zhdukur, sipas autoriteteve lokale.
Më shumë se 700 zjarrfikës ndodhen në vendngjarje duke luftuar me flakët në kompleksin Wang Fuk Court, ku jetojnë rreth 4.600 banorë.
Operacionet e emergjencës kanë vijuar gjatë gjithë natës, ndërsa mediat lokale raportojnë se një foshnjë dhe një e moshuar janë shpëtuar nga ekipet e kërkim-shpëtimit.
Qeveria i ka bërë homazh një zjarrfikësi 37-vjeçar, i cili humbi jetën gjatë përpjekjeve për të kontrolluar zjarrin, duke e përshkruar atë si “të përkushtuar dhe trim”.
Banorët janë duke kërkuar ndihmë nga autoritetet vendore pasi kanë humbur kontaktet me familjarët që ndodheshin brenda ndërtesave, tha për BBC një këshilltar lokal.
Zjarri nisi në orët e para të ditës së sotme dhe për orë të tëra ka vazhduar të përhapet mes godinave të kompleksit të madh banesor.
Autoritetet konfirmuan se shtatë nga tetë kullat e kompleksit janë përfshirë nga flakët, ndërsa qindra zjarrfikës po luftojnë për të vënë situatën nën kontroll.
Banorët e bllokuar në apartamente janë këshilluar të qëndrojnë brenda dhe të presin ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.
Kompleksi Wang Fuk Court, i ndërtuar në vitin 1983, përfshin 1,984 apartamente dhe strehon rreth 4,643 banorë, mbi një e treta e të cilëve janë të moshuar.