
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzoi të dielën udhëheqjen e Ukrainës se ka treguar “zero mirënjohje” për përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftës me Rusinë, ndërsa fajësoi paraardhësin e tij për konfliktin.
“Udhëheqja e Ukrainës ka shprehur zero mirënjohje për përpjekjet tona ndërsa Evropa vijon të blejë naftë nga Rusia,” shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale, Truth Social.
Ai tha se lufta “nuk do kishte ndodhur kurrë” me “një udhëheqje të fortë dhe të duhur të SHBA-së dhe Ukrainës” dhe tha se ajo filloi gjatë “administratës së Joe Bidenit të përgjumur.”
Ai argumentoi se nëse zgjedhjet e vitit 2020 nuk do ishin “manipuluar dhe vjedhur,” nuk do kishte luftë Ukrainë-Rusi, duke pretenduar se presidenti rus Putin “nuk do kishte sulmuar kurrë.”
Trump tha se ai “trashëgoi një luftë që nuk duhej të kishte ndodhur kurrë, një luftë që është humbëse për të gjithë, veçanërisht për miliona njerëz që kanë vdekur krejt kot.”
Plani i paqes i SHBA-së
Komentet erdhën ndërsa zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe Ukrainës po zhvillojnë diskutime në Gjenevë mbi një plan paqeje amerikan me 28 pika.
Draft-plani duket se i kërkon Ukrainës të dorëzojë territore shtesë Rusisë, të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj dhe të heqë dorë zyrtarisht nga anëtarësimi në NATO.
Trump, i cili tha se plani nuk do ishte “oferta e tij përfundimtare,” i dha kohë presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deri të enjten për t’iu përgjigjur, shkruan Anadolu Agency.