
Qindra mijëra persona u mblodhën të dielën në Manila për një protestë tre-ditore, duke kërkuar përgjegjësi për një skandal korrupsioni që përfshin zyrtarë të lartë qeveritarë dhe ligjvënës, lidhur me projektet e kontrollit të përmbytjeve, përcjell DW.
“Ne jemi mbledhur jo për t’u përfshirë në politikë, por për t’u bashkuar me bashkëqytetarët tanë që po kërkojnë të vërtetën pas më shumë se 100 ditësh akuzash të paadresuara,” thanë organizatorët në një postim në Facebook.
“Kjo lëvizje paqësore kërkon një hetim tërësor, të drejtë dhe kushtetues, sepse korrupsioni ka dëmtuar çdo filipinas, ndërsa askush nuk është mbajtur përgjegjës,” shtuan ata.
Skandali lidhet me projekte të financuara nga qeveria për kontrollin e përmbytjeve, të cilat rezultuan të jenë të dobëta ose të paktën në disa raste, fare të paekzistuara.
Kontraktorët privatë dyshohen se kanë përvetësuar fondet përmes projekteve fiktive ose duke ndërtuar infrastrukturë nën standard në zona që sot preken rëndë nga përmbytjet.
Dëshmitarët kanë përmendur edhe disa ligjvënës, duke pretenduar se ata kanë marrë ryshfete nga kompanitë e ndërtimit.
Çështja është veçanërisht e ndjeshme në Filipine, një nga vendet më të rrezikuara nga kriza klimatike dhe përmbytjet.
Tubimi i së dielës, i organizuar nga kisha e pavarur kristiane Iglesia Ni Cristo (INC), ishte deri më tani protesta më e madhe kundër skandalit.
Ai vjen në një moment kur vendi është goditur nga dy tajfunë që lanë më shumë se 250 të vdekur, kryesisht nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.
Në përpjekje për të qetësuar pakënaqësitë, presidenti Ferdinand Marcos Jr. deklaroi të enjten se shumë senatorë, deputetë dhe biznesmenë të përfshirë në skandal do të jenë “në burg para Krishtlindjeve”.
Ai tha se komisioni i pavarur hetimor, i krijuar më herët këtë vit, ka paraqitur tashmë padi penale ndaj 37 të dyshuarve.
Marcos e njeh fuqinë e zemërimit publik: babai i tij, Ferdinand Marcos Sr., u rrëzua në vitin 1986 nga Revolucioni i “People Power”, i nxitur nga pakënaqësia e gjerë ndaj korrupsionit.