Vendosni fjalën kyçe....

VIDEO/ Dalin pamjet e ekzekutimit mafioz në Rinas ndaj Gilmando Danit


Pamje të reja janë publikuar nga atentati në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku për pasojë mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos miku i tij, agjent i AMP, Muçi Shaljani (Sheqeri).

Pamjet e siguruara nga Hashtag.al. tregojnë momentet tronditëse të atentatit mafioz në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Ai udhëtonte në një automjet luksoz së bashku me agjentin e Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani, i cili mbeti i plagosur.

Në video dallohet se atentatorët kanë vepruar me gjakftohtësi të plotë, pa asnjë shenjë paniku apo nxitimi. Sipas raportimeve, autorët kishin pritur për të paktën dhjetë minuta në rrethin e Rinasit, derisa makina e bardhë ku ndodhej Dani kaloi pranë.

Në atë çast, automjeti i autorëve, një “Toyota”, i del përpara dhe nga ai zbret një person i maskuar, i cili sipas burimeve ishte i veshur me uniformë të ngjashme me atë të policisë. Ai afrohet drejt makinës së Danit dhe qëllon me breshëri në drejtim të sediljes së pasagjerit, ku ndodhej viktima.

Në video dallohet momenti kur “Benzi” i Danit ndalon në mes të rrugës, ndërsa përballë tij është një taksi. Qitësi, pasi qëllon disa herë, kthehet me nxitim drejt “Toyotës” dhe hipën brenda. Në atë moment dëgjohen të tjera të shtëna nga arma automatike që vijnë nga makina e atentatorëve, të cilët më pas largohen në drejtim të Fushë-Krujës.

Pak më vonë, në atë zonë u gjet i djegur mjeti i përdorur në krim, së bashku me katër armë të përdorura në ekzekutim.

Sipas burimeve hetimore, rruga që të çon drejt Niklës ishte pa energji elektrike në kohën e atentatit, çka ka ngritur dyshime se autorët kishin çaktivizuar qëllimisht sistemin e kamerave të sigurisë për të shmangur identifikimin.

Pamjet e tjera tregojnë se vetëm dy minuta pas atentatit, një autokolonë me katër makina zyrtare të një delegacioni shtetëror kaloi pranë vendit të ngjarjes, në një zonë të frekuentuar dhe me siguri të lartë, shumë pranë aeroportit të Rinasit.

Në momentin e vrasjes, në pamje duken edhe kalimtarë dhe makina të tjera që lëvizin në rrugë, duke e bërë ngjarjen edhe më tronditëse për shkak të rrezikut që paraqiste për qytetarët.