Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohet nga Britania 33-vjeçari shqiptar i dënuar për plagosje


Një 33-vjeçar shqiptar, i dënuar me 5 vite burg për plagosje të rëndë me dashje dhe armëmbajtje pa leje, është ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.

Mikel Hoxha u arrestua në Mançester, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Mançesterit.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dënimit nga Gjykata e Apelit Durrës në vitin 2021, për një ngjarje të ndodhur në Gramsh më 6 qershor 2018, ku plagosi me armë zjarri një person pas një debati për motive të dobëta.

Njoftimi:

Interpol Tirana

Ekstradohet nga Mbretëria e Bashkuar, një shtetas i dënuar me 5 vjet burgim, për plagosje të rëndë me dashje dhe për armëmbajtje pa leje.

Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Mançester, Mbretëria e Bashkuar, u krye ekstradimi nga Mbretëria e Bashkuar drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Mikel Hoxha, 33 vjeç.

Shtetasi Mikel Hoxha ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Durrës, në vitin 2021, e ka dënuar me 5 (pesë) vjet burgim për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:

Shtetasi Mikel Hoxha, në datën 06.06.2018, në qytetin e Gramshit, pas debatit të çastit për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në kofshë shtetasin A. H., duke i shkaktuar lëndime serioze.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Mançester / Mbretëri e Bashkuar, u bë e mundur arrestimi i tij, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.