Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi: Kemi strategji për protestat


Nënkryetari i PD-së Oerd Bylykbashi komentoi raportin e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit ndërsa theksoi se reforma zgjedhore duhet përfunduar për t’u dhënë qytetarëve mundësinë që vota e tyre të shkojë aty ku duhet.

”Raporti i fundit i ODIHR është shumë i detajuar dhe flet hapur për përdorimin e shtetit në zgjedhje, administrata si patronazhim, përdorimi i fondeve publike e bonuseve për qëllime elektorale. Kjo është një detyrë e madhe që duhet adresuar. Ne nuk kemi përgjegjësi për një sistem që u imponua pa konsensus. Ky sistem duhet ndryshuar, përndryshe Shqipëria do të mbetet me një demokraci të deformuar,” u shpreh Bylykbashi në emisionin Kjo Javë në News24.

Ai ceku më tej protestat e paralajmëruara nga kreu Berisha. Bylykbashi pohoi se ka një strategji për to dhe se rëndësia kryesore mbetet efikasiteti i tyre.

“Për mua më e rëndësishme është efikasiteti, dhe efikasitetin do ta bëjë një strategji që përfshihen protestat brenda. Kur të ketë nevojë për protesta të forta, do të ketë dhe protesta. Ajo është vendimarrja që do ta marrim ne. Ndërkohë që ka zhvillime të rëndësishme në parlament dhe duhet të gjykojmë sa ia vlen rezultati. Ne do të shohim të gjithë gamën. Ne nuk kemi mundësi të flasim në parlament. Ne kemi nevojë të mos censurohemi në media. Raporti i ODIHR-it flet që 90% e mediave janë të kontrolluara.”, shtoi Bylykbashi.